Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi i ka kërkuar deputetëve të votojnë amendamentin që përfshin marrëveshjen e nënshkruar me Maqedoninë e Veriut sa i përket pikave të kontrollit doganor.
Ministri tha se në gjashtë pikat e kontrollit kufitar që na lidhin me fqinjin tonë do të ketë vetëm një sportel kontrolli dhe kjo i shërben edhe përpjekjeve të përbashkëta të të dy vendeve për në BE dhe nismës për Ballkanin e Hapur.
“Do ketë vetëm një sportel kontrolli. Janë 6 pika ku do të zbatohet kjo marrëveshje. Marrëveshja është e bazuar në modele të tjera që ne kemi edhe me shtete të tjera që e kemi përgatitur me konsultimin e misionit PAMEKA në vendin tonë.
Objektivat kryesorë janë lehtësimi i qarkullimit të shtetasve dhe mallrave, rritje e bashkëpunimit për përmbushjen e interesave të përbashkëta të sigurisë dhe shkëmbimin e shpejtë të informacionit, forcimi i kapaciteteve profesionale të oficerëve të policisë kufitare dhe kontrolli i cilësisë së zbatimit të ligjit për kontrollin e kufirit.
Besoj se çdokush e ka të qartë se kjo marrëveshje synon edhe forcimin e lidhjeve me fqinjin tonë dhe besojmë se kjo i shërben përpjekjeve tona të përbashkëta për në BE dhe nismës për Ballkanin e Hapur”, u shpreh Çuçi.