Ministri Shëndetësisë i Greqisë, Thanos Plevris, ka bërë të ditur se edhe doza e tretë mund të bëhet e detyrueshme për certifikatën e koronavirusit.
Duke folur për kanalin e lajmeve ANT1, Plevris theksoi se certifikata e vaksinimit që përdoret në Greqi është një certifikatë që përdoret në të gjithë Bashkimin Evropian (BE) dhe se asnjë vend nuk mund t‘i ndryshojë vetë kushtet e kësaj certifikate.
“Kemi biseduar edhe në mbledhjen jozyrtare të ministrave të shëndetësisë së vendeve të BE-së. Edhe në takimin që do të mbajmë në muajin dhjetor do të vlerësohet se çfarë vendi do të zërë doza e tretë tek certifikatat e BE-së” deklaroi Plevris.
Ai tha se imuniteti ndaj koronavirusit COVID-19 bie në masë të madhe 6 muaj pas dozës së dytë të vaksinës.
“Një dozë e tretë e vaksinës mund të kërkohet gjashtë muaj pas përfundimit të dozës së dytë në mënyrë që certifikatat ekzistuese të vaksinimit kundër COVID-19 të jenë të vlefshme”, tha Plevris.
Praktika për vaksinimin me tre doza në Greqi filloi në muajin shtator, ku përparësia për dozën e tretë iu dha të moshuarve dhe personave në grupin e rrezikuar. Ndërsa që nga sot, të gjithë qytetarët mbi 18 vjeç mund të kryejnë aplikim nga platforma digjitale për të marrë dozën e tretë të vaksinës./AA/