Pastrimi i territorit dhe mbajtja e mjedisit janë prioritete e mandatit të tretë qeverisë të PS dhe kjo sigurisht është reflektuar edhe në buxhetin 2022 duke iu kushton një pjesë e rëndësishme. Ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro ka prezantuar buxhetin për 2022 për ministrin e saj, ku tha se ajo është rritur me 22 % duke iu kushtuar pastrimit në 4 bashki bregdetare. Kumbaro tha se në të gjithë territorin e vendit janë identifikuar 199 vend depozitime ilegale që do të jenë pjesë e një procesi rehabilitimi duke u mbyllur.
“Mendoj që mungon një koordinim i mirë dhe monitorim në shkallën e duhur në punën e menaxhimin e mbetjeve nga ana e bashkive në territor. Bashkitë më problematike janë ato të bregdetit për arsye të ndryshme, ose nuk performojnë mirë në këtë drejtim ose se mbipopullimi në sezon turistik shkon përtej kapaciteteve të bashkisë ose niveli i ndërgjegjësimi të popullsisë në raport me mbetjet lë ende për të dëshiruar. Për vitin 2022 qeveria ka vendosur të ndërhyjë në vijën bregdetare më problematike me një fond shtesë 205 milionë lekë për mirëmbajtjen e vijës për sezonin turistik 1 qershor – 31 gusht në Bashkitë Durrës, Kavajë, Himarë, Sarandë, do të ngrihet një task-forcë, që t’ju vijmë në ndihmë bashkive kur kemi mbipopullim. Kemi probleme të theksuara në ndarjen në burim të mbetjeve dhe orientimi i dyte drejt riciklimit. Ne i hedhim të gjitha në një kosh. Ndarja është e vetmja rrugë drejt së cilës duhet të shkojmë. Janë 199 vend-depozitime ilegale të identifikuara në të gjithë territorin një pjesë janë në proces rehabilitimi, një pjesë tjetër duhen mbyllur dhe një pjesë janë duke u evakuuar. Shuma e buxhetit është 2.9 miliardë lekë, 777 milionë lekë janë paga dhe sigurime, investime 580 milionë lekë. projektbuxheti i vitit 2022 krahasuar me vitin 2021 ka rritje me 22%, ku zëri i pastrimit dhe mirëmbajtjen në 4 bashki është i rëndësishëm që bën rritje. Ka një fond 500 milionë lekë që do të jetë instrument në funksion të bashkive që të përmbushin standardet e menaxhimit të mbetjeve. Tek programi i pyjeve kërkojmë të shtohen 20 milionë lekë në llogarinë për paga për të mos pasur VKM të veçantë, vjen si pasojë e krijimit të Agjencisë së Pyjeve. 77 milionë lekë do të përdoret për promovimin e turizmit, do ketë projekte që vijnë nga bashkitë apo komuniteti për të rritur promovimin. 175 milionë lekë do vihen si garanci për të dhënë kredi të buta për agroturizmin”, tha Kumbaro.
Në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese, Kumbaro foli edhe për investimet në infrastrukturë krijojnë destinacionet turistike si në juga ashtu edhe në veri .
“Në vitin 2020 pati një nxitje të investitorëve të brendshëm për oferta turistike të diversifikuara, që shkojnë nga agroturizmi, turizmi kulinar, turizmi natyror. Në 2020 pati investime në turizëm të brendshëm, bujtina dhe agroturizëm këto investime gjatë pandemisë sollën rezultate ku kemi 5.1 milionë turistë kemi pasur deri në fund të tetorit të këtij viti. Cilësia e turizmit është e përmirësuar ndjeshëm. Do të punojmë më tej edhe për promovimin e vendit për të shtrirë në kohë ofertën turistike. Kemi pasur 60.804 vizitor të huaj vetëm në javën e parë të muajin nëntor. Investimet në infrastrukturë krijojnë destinacionet turistike si në juga ashtu edhe në veri. Një ndër produktet që do të ofrojmë në buxhetin e vitit 2022 është projekti i rikualifikimit të pikave hyrëse dhe dalëse ku shënohet fluksi më i madh i turizmit, për një investim për hartimin e projektit 24.2 milionë lekë Muriqan, Hani Hotit, Morinë, Qafë Thanë, Kapshticë, Kakavijë, Rinas dhe Porti i Durrësit. Ky projekt synon një rikualifikim të zonës hyrëse si një lloj mikpritje dhe kartëvizite”, tha Kumbaro.
Ministrja foli edhe për zhvillimin e eko-turizmit dhe agro-turizmit që do të rrisë edhe më shumë turistët dhe për të shpërndarë ofertën turistike në të gjithë vendin.
“Eko-turizmi dhe agro-turizmi janë një prioritet tjetër, që të krijojmë modele të qëndrueshme për mjedisin dhe për të shpërndarë ofertën turistike në të gjithë vendin. Duhet të mbrojmë edhe mjedisin kur duam të zhvillojmë turizmin.Do të përfundoj në vitin 2022 investimi i rikualifikimi i shërbimeve dhe rrugëve lidhëse në zonën e mbrojtur në Syrin e Kaltër. Idea është e shërbimeve por dhe të rrugëve drejt kësaj pike shumë të frekuentuar. Vetëm në 2019 në syrin e Kaltër ishin 109-110 mijë turistë. Do të ketë një qendër të re multifunksionale për zonën e re të mbrojtur të Lumit Vjosa, 50 milionë lekë. lumi Vjosa nga kufiri me Greqinë deri në grykëderdhjen e vet me gjatësi 200 kilometra, me vendim të Këshillit Kombëtar të Territorit, Lumi është shpallur zonë e mbrojtur dhe po përgatitet VKM për ta kaluar në Këshillin e Ministrave dhe kemi filluar punën për një plan zhvillimi të qëndrueshëm. Kjo qendër do të bëjë të mundur rritjen e turizmit deri në 30% në zonë në mënyrë të kontrolluar duke ruajtur zhvillimin e zonës, por edhe duke i dhënë mundësinë 60 mijë banorëve që jetojnë në këtë zonë.Do të ketë një investim prej 68.5 milionë lekë për eko-park Ulza, që do të nxis rritjen e ofertës turistike të kësaj zone që ka pasuri natyrore. Është park natyror që është në mbrojtje të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura. Ky investim do sigurojë rritje të numrit të vizitorëve me 50%, aktualisht ky park pret deri në 37 mijë vizitor në vit dhe do të sigurojë ruajtjen e zonës së mbrojtur. Do ketë infrastrukturë turistike, parkim, shtigje, pika qëndrimi, tabela orientuese dhe informuese”, tha Kumbaro.