Ministrja e Arsimit dhe Sportit Znj. Evis Kushi ka diskutuar draftin e Dokumentit të Prioriteteve me Këshillin e Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor (KALKSH), për të përcaktuar fushat që përbëjnë prioritet kombëtar në fushën e kërkimit, teknologjisë dhe inovacionit.
Dokumenti i prioriteteve do të shërbejë për të orientuar strukturën e shpenzimeve të fondit publik për Arsimin e Lartë dhe kërkimin shkencor, në përputhje me prioritetet e vendit.
Ky organ këshillimor pranë Ministrisë së Arsimit dhe Sportit ka në përbërje 12 anëtarë, të cilët janë personalitete të njohura të botës akademike që kontribuojnë në Shqipëri por edhe në institucione prestigjioze europiane.
KALKSH shqyrton dhe këshillon në lidhje me hartimin e strategjive e programeve kombëtare për arsimin e lartë e kërkimin shkencor, drejtimet e politikave respektive dhe përgatitjen e akteve ligjore e nënligjore, fushat parësore dhe programet e kërkimit shkencor e të zhvillimit teknologjik, si dhe zhvillimin e politikave të veçanta dhe mënyrat e financimit të tyre.