Qeveria shqiptare ka miratuar sot axhendën kombëtare për të drejtat e fëmijëve për vitet 2021-2026.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu u shpreh sot, pas mbledhjes së qeverisë se, “vendimi tjetër që qeveria shqiptare ka ndërmarrë është miratimi i një dokumenti shumë të rëndësishëm politik, një dokument i cili ka të bëjë me agjendën kombëtare për të drejtat e fëmijëve për vitet 2021-2026”.

“Një dokument, i cili synon që të harmonizojë dhe të koordinojë të gjitha politikat për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në të gjithë sektorët dhe gjithashtu synon që të koordinojë veprimet e përbashkëta me të gjithë strukturat shtetërore, por edhe ato të organizatave të shoqërisë civile, që synojnë pikërisht mbrojtjen e interesave më të larta të fëmijëve tanë”, tha Manastirliu.

“Është një dokument politikash, i cili përkthehet në plane veprimi konkrete, i cili synon të mbrojë të gjithë fëmijët. Por nga ana tjetër mbron dhe të drejtat e fëmijëve që vijnë nga grupet vulnerabël, që janë pikërisht fëmijët me aftësi ndryshe dhe fëmijët që janë në risk për abuzim, apo në risk për dhunë”, theksoi Manastirliu.

Manastirliu u shpreh se ky dokument, “krijon instrumente parandalues në raport me të gjithë sektorët dhe të gjithë shërbimet brenda sektorëve dhe sigurisht forcon dhe të gjithë instrumentet që ne sot kemi, në raport me mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe në raport me shërbimet që ofrojmë për fëmijët”.

“Në këtë agjendë, e cila është një agjendë që përfshin të gjithë strukturat e shtetit, ministritë e linjës, por gjithashtu edhe në koordinim dhe me Ministren e Shtetit për Fëmijët dhe Rininë, do të ndërtohen plane të përbashkëta, për ofertën e re për fëmijët dhe mbi të gjitha me synimin që kjo agjendë të jetë një agjendë sa më e prekshme dhe sa më efektive, në raport me mirëqenien e fëmijëve tanë”, u shpreh Manastirliu.