Kreu i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka e ka cilësuar të turpshme reagimin e Gazment Bardhit ndaj kryetares së LSI-së Monika Kryemadhit në lidhje me mandatet e ofruara, por që sipas numrit dy të PD-së janë refuzuar.
“LSI pati një ofertë tunduese nga Rama për tu futur në zgjedhje lokale duke i dhënë disa bashki dhe e refuzoi. La pushtet, ishte një parti që sakrifikoi, nuk erdhi si një parti e profilit opozitar, sakrifikoi programin e vet si parti e majtë. Nuk tentoi bashkëpunimin me PS, por u vendos qartazi në opozitë. Basha u tregua jo vetëm i pabesë dhe pa karakter, sepse ishte parti e dytë në opozitës, pa LSI, e kjo në perceptimin e qytetarëve, ishte e pamundur fitorja. Të dalësh sot dhe vetëm të mos kërkosh falje është e turpshme, LSI që mori mijëra vota e nuk u ndanë në mandate. Unë u habita se si LSI ka rezistuar deri tani, në pjesën e arrogancës së PD dhe tolerancës. Duhet falënderuar Kryemadhi për qëndrimin e mbajtur ndaj Bashës”, tha Ndoka.
Ndër të tjera u shpreh se Kryemadhi sakrifikoi dhe Ilir Metën si president me dorëzimin e mandateve si deputetë, duke e lënë vetëm me Ramën, e kjo sipas tij, vetëm e vetëm që Basha të bëhej lideri i vërtetë i PD-së.
“Vendimet për dorëzimin e mandatit u mor sepse u përpoq që të rritej autoriteti i Bashës, të bëhej lider, të rritej si kastravec në diell, por kjo nuk u bë. Nuk u bë lider, mbeti lider i vocërr, Luli i vocërr, edhe është fatkeqësi kombëtare që ai të jetë lideri i PD-së. Ky palaço bënte marrëveshje të fshehta dhe në dëm të LSI dhe PD, duke e kthyer në një shtojcë të Edi Ramës”, tha Ndoka.