Ajo që prisnin me padurim si mundësinë e artë për zhvillimin e turizmit në zonën e tyre, dalë në dritë nga ndërtimi i Rrugës së Arbrit, banorëve të Shkallës në Bashkinë Klos, sot po u kthehet në rrezik për shkatërrimin e fshatit të tyre.

Kompania “Gjoka Construction”, që po ndërton rrugën e Arbrit dhe pritet ta inaugurojë përfundimisht atë më 29 nëntor, siç kryeministri Edi Rama e njoftoi si “dhuratë” për festat, sipas banorëve po bën manovra për të shfrytëzuar një hapësirë të konsiderueshme pyjore, rreth 250-300 metra pranë shtëpive të tyre, për gurore me afat 3-vjeçar.

Kompania ka dorëzuar në bashki kërkesën “Për heqjen e sipërfaqes 4.4083 nga Fondi Pyjor ne fshatin Shkallë, Njësia Administrarive Xibër me gjurmë guroreje në Ekonominë Pyjore Linor, Guri i Bardhë, në ngastrat ne 103 b, 108 a dhe 110 a”.

Por në kushtet e kundërshtive të shprehura nga banorët, edhe me peticione, këshilli Bashkiak i Klosit organizoi konsultim publik.

“Për mua nuk ka negociata fare. Asnjëri nuk ka pse rri këtu, të ngrihen dhe të ikin; Në asnjë mënyrë të mos lejohet që të preket qoftë edhe një gur i vetëm; Ku do të shkojmë ne, do të hamë pluhurin e gurores?; Këtu nuk duhet të bëhet, pikë. Këtu nuk duhet të lejohet asnjë gjë tjetër sepse këtu pallavrat i marrë era, çdo gjë që vendoset, vendoset në popull”, tha një banor.

Ndërtimi i gurores sipas banorëve do të dëmtonte shëndetin e tyre, florën dhe faunën.

“Po bëjmë mbrapa, shkatërrim. Ky është shkatërrim territori, toke, mjedisi, prishje e klimës, atmosfera prishet komplet me dioksid karboni. Nëse kjo gjë do të bëhet, në Dibër nuk do të ketë më as bujqësi”, u shpreh një banor tjetër.

Pas kundërshtisë shprehur hapur në sy të përfaqësuesve të “Gjoka Construction” dhe pushtetit lokal, banorët firmosën peticionin për moslejimin e ndërtimit që do t’i dorëzohet këshillit bashkiak Klos. Nëse kompania Gjoka nis hapjen e gurores, ata paralajmërojnë se do nisin protestat.

“Këto janë legena, të gjithë do i djegim me benzinë. Të bëjnë provë dhe le të vijnë, nëse nuk ka shtet, këtu ka popull, këta janë maskarenj”, tha një banor i zonës.

Përfaqësues të “Gjoka Construction”, pretendojnë se faza e konsultimit publik është privuar nga pandemia, dhe se vetë kompania ka mbledhur më herët firmat e banorëve që janë pro, shumica e të cilëve sipas banorëve edhe janë punësuar nga kompania për ndërtimin e Rrugës së Arbrit.

“Bashkia ka ndryshuar objektin sepse sot nuk ka qenë dëgjesë publike për ndërtimin e gurores, por ka qenë dëgjesë publike që e ka bërë këshilli bashkiak për heqjen nga fondi pyjor i kësaj sipërfaqeje dhe për ta marrë subjekti “Gjoka Construction” për ndërtimin e Rrugës së Arbrit. Kjo fazë është ezauruar, të gjitha hapat ligjor i ka kaluar dhe për arsye pandemie, janë takuar në grupe të vogla, nga tre, katër apo pesë veta”, tha Albert Çollaku, inxhinier i kompanisë.

Sipas inxhinierit Çollakut, zëri i banorëve nuk duhet dëgjuar pasi ekspertët kanë vlerësuar se zona nuk do të dëmtohet nga gurorja.

“Kontrata koncensionare e ka të përcaktuar që materialin për ndërtimin e rrugës do e marrin tek zona ku po bëhet ndërtimi. Për të dhënë këtë leje janë ekspertët, pra nuk mund të jenë banorët, pa i ofenduar asnjë, nuk mund të jenë ekspertë mjedisi. Janë marrë të gjithë ekspertët e mjedisit që kanë përcaktuar që kjo nuk bën efekte dhe dëme që pretendohen nga banorët”, tha Çollaku.

Nëse Këshilli Bashkiak miraton projektvendimin, atëherë kompanisë Gjoka i hapet rrugë të marrë lejen për shfrytëzimin e 4.4083 ha zonë pyjore në fshatin Shkallë, për gurore për 3 vjet, edhe pse Rruga e Arbrit në fakt, përmbyllet shumë më herët se ky afat.