Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, priti sot ambasadoren e Polonisë, Monika Zuchniak-Pazdan.

Ambasadorja Zuchniak-Pazdan e uroi Nikollën për zgjedhjen në detyrën e kryetares së Kuvendit dhe shprehu vullnetin e Polonisë për të avancuar e zgjeruar bashkëpunimin dhe marrëdhëniet e shkëlqyera politike, ekonomike dhe në fusha të tjera mes dy vendeve.

Kryetarja e Kuvendit, Nikolla shprehu mirënjohjen për asistencën e Polonisë për përballimin e pandemisë, si edhe për solidaritetin e kontributin për rindërtimin e zonave të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit.

“Shqipëria vlerëson lart mbështetjen e vazhdueshme të Polonisë për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, në veçanti për hapjen e negociatave, si edhe asistencën teknike të ofruar nga Qeveria polake, për përgatitjet tona për anëtarësim në BE. Polonia është një avokate për integrimin e Shqipërisë, si edhe të Ballkanit Perëndimor, edhe në kuadër të Procesit të Berlinit dhe Grupit të Vishegradit. Ndërkohë, Shqipëria vazhdon të kontribuojë për zhvillimin, stabilitetin dhe proceset integruese në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, vuri në dukje kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla.

Nikolla dhe ambasadorja Zuchniak-Pazdan biseduan edhe mbi zgjerimin e bashkëpunimit parlamentar, rritjes së shkëmbimeve dhe intensifikimin e bashkëpunimit midis komisioneve parlamentare.

Gjithashtu u diskutua edhe mbi rritjen e kontributit të parlamenteve të të dy vendeve për rritjen e pranisë së kompanive polake në sektorë kyç të ekonomisë së Shqipërisë, si: infrastruktura, transporti, bujqësia, turizmi, zhvillimi i burimeve natyrore, energjia elektrike, energjia e rinovueshme, sektori i hidrokarbureve, sistemi hekurudhor, etj.