1 Ditë nga edicioni i 17-të i aksionit kombëtar vullnetar “Ta Pastrojmë Shqipërinë në Një Ditë – 26 Nëntor 2021”, Green Line Albania si organizatore e aksionit, Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, zhvilluan një aksion pastrimi dhe një bashkëbisedim së bashku me nxënësit dhe mësuesit e Shkollës “17 Shkurti” në zonën e Freskut, Tiranë.
Gjatë aktivitetit, Z. Ervin Shehaj – organizator i aksionit “Ta Pastrojmë Shqipërinë” shprehu mirënjohjen ndaj nxënësve të shkollës për fushatën sensibilizuese që ata kishin pregatitur për mbrojtjen e mjedisit. Z. Shehaj theksoi se ky aksion i përvitshëm tashmë ka shërbyer si një edukim nëpërmjet veprimeve konkrete të brezave të rinj, të cilët nesër do të jenë dhe liderat e ardhshëm të këtij vendi. Ndryshimi i situatës mjedisore në vend vjen mbi të gjitha nëpërmjet edukimit mjedisor dhe veprimeve konkrete të ndërmarra në mbrojtje të mjedisit. Aksioni Ta Pastrojmë Shqipërinë prej 9 vitesh tashmë është bërë pjesë e kalendarit vjetor të aktiviteteve të sistemit arsimor parauniversitar në kuadër të kontributit në komunitet dhe vullnetarizmit, si pjesë e kurrikulës akademike arsimore dhe bashkëpunimit të ngushtë midis organizatës Green Line Albania dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, të cilat sëbashku kanë hartuar dhe një plan veprimi për përfshirjen në aksionin kombëtar.
Gjatë aktivitetit, Znj. Zamira Gjini – Drejtoreshë e Përgjithshme e Politikave dhe Zhvillimit të Arsimit si dhe personi përgjegjës për implementimin e këtij bashkëpunimi u shpreh:
Kam kënaqësinë të jem pjesë e këtij aktiviteti kaq të rëndësishëm, përsëri me Green Line Albania, me të cilin kemi një bashkëpunim shumë të mirë në fushën e edukimit mjedisor që prej vitit 2013. Gjej rastin t’ju kujtoj edhe njëherë nxënësve, të cilët kanë përgatitur projekte kaq të bukura dhe që janë angazhuar sot në këtë aksion mbarëkombëtar, se mjedisi duhet ruajtur jo vetëm sot, jo vetëm në një ditë, por çdo ditë, pasi mbrojtja e tij është e dobishme për ruajtjen e natyrës dhe shëndetin e të gjithë njerëzve. Ne e dimë që mjedisi është burimi kryesor i jetës në Tokë dhe për këtë arsye duhet ruajtur dhe përdorur me kujdes jo vetëm për brezat e sotëm, por edhe për brezat e ardhshëm.Edukimi mjedisor në shkollë, për vetë rëndësinë që ka mjedisi dhe problemet që lidhen me të, po luan një rol shumë të madh për ndërgjegjësimin dhe pjesëmarrjen aktive të brezit të ri për çështje që kanë të bëjnë me kujdesin ndaj mjedisit, mbrojtjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Ai duhet konsideruar si një pjesë e domosdoshme e edukimit qytetar të çdo nxënësi, me ndikim të drejtpërdrejtë në cilësinë e jetës dhe shëndetit të çdo njeriu.
Edukimi mjedisor është gjithashtu pjesë e kurrikulave tona shkollore dhe i kushtohet një vëmendje e veçantë nga mësuesit dhe nxënësit. Njëkohësisht, nxënësit edukohen dhe me veprimtari jashtëshkollore për ruajtjen e mjedisit, si edhe në kuadër të shkollës qendër komunitare, duke u bëre pjesëmarrës të drejtpërdrejtë në ruajtjen e mjedisit.
Është shumë e rëndësishme që shkolla jo vetëm të ruajë mjedisin dhe të edukojë nxënësit për kujdesin ndaj tij, por të shërbejë dhe si një qendër ndërgjegjësimi për prindërit dhe komunitetin, në mënyre që së bashku të kemi një mjedis të pastër për të sotmen dhe të ardhmen. Ndërsa Zv. Minsistrja e Turizmit dhe Mjedisit, Znj. Almira Xhembulla u shprehTë dashur nxënës, vajza dhe djem, të nderuar mesues, Së pari më lejoni t’ju falenderoj që i jeni bashkuar nismës kombëtare “Ta Pastrojmë Shqipërinë” të organizatës Green Line Albania.
Është e rëndësishme që ne t’u japim fëmijëve edukim mjedisor, ndërgjegjësim për rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit por edhe ti mbeshtesim që të ndërrmarin nisma dhe të organizojnë aktivitete që synojne mbrojtjen dhe përmirësimin e mjedisit.
Dua t’ju jap dhe mesazhin që është e rëndesishme që të fillojmë të mendojmë seriozisht për reduktimin e mbetjeve, ndarjen e tyre në burim dhe riciklimin e tyre. Vajza dhe djem, Shqipëria ka nevojë për vëmëndjen dhe dashurinë tuaj! Sa më mirë të sillemi ne me natyrën aq më mirë do të sillet ajo me ne. Ajër më të pastër, produkte më cilësore por edhe më shumë turistë e më shumë të ardhura dhe zhvillim të qëndrueshëm. Ministria e Arsimit dhe Sportit ka futur në strategjinë e saj për të integruar në kurrikulën arsimore, edukimin mjedisor dhe ky bashkëpunim mes dy Ministrive do të vazhdojë të zhvillohet me një plan veprimi konkret. Në përfundim të aktivitetit pjesëmarrësit përsëritën thirrjen për t’u bashkuar në aksionin kombëtar vullnetar “Ta Pastrojmë Shqipërinë – 26 Nëntor 2021”!