Nga Ilir Yzeiri/ Po të shohësh ngjarjet që prodhojmë ne, gjëja e parë që të bie në sy është se e kemi të pamundur të jemi njerëz normalë dhe vend normal. Nuk dua të përdor fjalën « të çmendur » sepse çmenduria është një sëmundje dhe ai që e ka nuk e ka zgjedhur me dëshirën e tij, por e vuan atë gjendje si fatalitet tragjik të shëndetit të tij të dëmtuar.
E paimagjinueshme është se si pranojmë të çmendemi pra se si bëhemi anormalë ne, njerëzit e tjerë, që i shfaqemi botës me veshjen e njeriut normal, por që të tillë për fat të keq ka kohë që nuk jemi.
Vini re çfarë ndodh. Sali Berisha një prej politikanëve që ka shënuar rekorde kriminale më shumë se gjithë ata që e kanë drejtuar këtë vend pas Enver Hoxhës ( megjithëse edhe këtu duhet të jemi realistë dhe, nëse numërojmë të vdekurit nga lufta civile dhe rebelimi i armatosur që nxiti ai në vitin 1997, mund të themi se, për nga ashpërsia dhe makabriteti i krimit, ai mund të barazohet edhe me të), ka nisur një tur takimesh nëpër Shqipëri dhe reciton një tekst të shpëlarë, me kërcënime banale duke mbledhur në salla të vogla vatrash kulture ca trushpëlarë që nuk e dinë as vetë se çfarë janë, por që kanë mbetur të fiksuar pas fantazmave komuniste dhe u tragon atyre përralla me përmbysje e me revolucion.
Ai ngjan sot si ato personazhet monstra të përralllave për fëmijë që vinin natën me mantel të zi e shfaqeshin ose me pasqyrë që të ngrinte borëbardhën ose me ndonjë mollë të helmuar për të vënë në gjumë princeshën e bukur Lulëzim Basha të cilin do të vijë ta zgjojë pastaj kalorësi më i bukur akoma nga viset e largëta të Oqeanit. Ky plak qesharak që nuk tremb më as fëmijët e kopshtit është pasqyra jonë e anormalitetit. Por ai nuk është vetëm.
Anormalë dhe qesharakë në këtë vend janë gjithë skota e tredhur e prokurorëve të këtij vendi të cilët, në gjithë këta vjet, nuk patën kurajën të ngrinin një akuzë për këtë kriminel dhe për ta çuar në gjykatë edhe sikur të humbisnin vetë.
Të tredhur nga shpirti, pa integritet dhe pa asnjë moral, prokurorët e vendit tim janë turpi i këtij tranzicioni dhe kategoria që treguan se ky vend nuk e do drejtësinë, se ne jemi një vend karagjoz dhe pa personalitet.
Sali Berisha sot duhet të ngrysej e të gdhihej në gjykatë për t’u mbrojtur nga akuzat që atij nuk ia ka bërë Departamenti i Shtetit, por shoqëria shqiptare, media kurajoze dhe agjencitë e diplomacive të huaja në vendin tonë.
Mirëpo, jo. Ai sot këndon si gjeli në majë të plehut. Pse ? Sepse ne nuk jemi një vend normal, ne jemi anormalë. Prokurorët tanë do të mbahen mend në këtë vend si njerëzit me nga shtatë numra llogarie, si njerëzit që u futën në atë sistem për të bërë garë me njëri-tjetrin se kush do të pasurohet më shumë dhe jo si heronjtë që do të na shpëtonin dhe do të na mbronin nga kriminelët dhe hajdutët me kollare.
Ne jemi një vend anormal sepse ne i kemi rrafshuar vlerat në këtë vend, ne nuk i çmojmë njerëzit nga aftësitë, nga ndihmesa që i kanë dhënë këtij vendi apo këtij kombi, ne e vjedhim meritën dhe si një plaçkë të shqyer ia veshim cilitdo idioti apo njeriu mediokër që na del përpara.
Kolegu Ermal Mulosmani kishte vënë re me shumë të drejtë një ngjarje vërtet të padenjë për një vend normal, një ngjarje fyese që shkatërron ngrehinën e meritës dhe të vlerave, që i bën atentat kujtesës sonë. Ilir Meta, presidenti që e shkatërroi atë institucion si asnjë tjetër më parë, i akordon medaljen « Nderi i Kombit » Ferdinand Samarxhiut një medalje me po këtë titull që ia kemi dhënë, veç të tjerëve, edhe Fishtës.
Me shumë të drejtë, vinte re kolegu Mulosmani, se, tani, Fishta, nëse do të na shihte nga lart, jo vetëm që do tallej, por do të na kishte degdisur diku në ferr megjithë presidencë e medalje. Nuk kam asgjë me Samarxhiun, madje e çmoj si njeri korrekt, por ka një kufi. Është e paimagjinueshme se si mund të manipulohet opinioni në këtë farë feje.
Asnjë vepër të shkruar, asnjë gjë që të mbahet mend, me përjashtim të disa kronikave në ditët e Ramazanit kur ai, pasi ka shijuar iftarin e radhës, bën edhe një intervistë me ndonjë imam xhamie. Dhe … « Nderi i Kombit ». Tmerr ! Tjetër. Bëhet një panair libri. Botohen libra pa fund, por askush nuk kujtohet të organizojë debate apo të promovojë ato që botohen duke vendosur apo duke bërë një hierarki vlerash. Institucionet vrapojnë të shpallin çmimet : libri i vitit, shkrimtari i vitit, poeti i vitit, përkthyesi i vitit.
As vatrat e kulturës dikur nuk ishin kaq të zellshme për t’u paraqitur si institucione që ndajnë vlera në këtë vend sa janë bërë tani disa organizime pa asnjë vlerë që krijon shteti dhe Ministria e Kulturës. Vendi kështu ngjan me një çmendinë gjigande në të cilin valëviten flamujt e emulacionit demokratik-socialist.
« Nderi i Kombit », « shkrimtari i vitit » dhe gjithçka tjetër e vitit, por pa harruar edhe një çmim tjetër : idiotët e shekullit, sepse kështu do të mbahemi mend dhe kështu do të kujtohemi pas qindra vjetësh, kur ata që do të vijnë pas nesh do të shohin se çfarë idotësh kemi qenë dhe se si e kemi shkatërruar kujtesën dhe hierarkinë e vlerave.
Se si i kemi duartrokitur të çmendurit e anormalët. Pastaj, ndoshta do të kujtohemi se çdo diktaturë që ka kaluar në këtë vend, nuk ka qenë për shkak të diktatorit, por atë shtypje në shpirt e në tru e kemi ndjellë vetë, e kemi dashuruar deri në ekstazë, sepse për fat të keq jemi njerëz anormalë.