Nga Alfred Peza

Lufta e egër brenda elitës drejtuese të PD, ka devijuar me sukses të plotë, drejt një shtrati që nuk ka të bëjë aspak me shkakun thelbësor që e ka sjellë këtë pasojë. Pas shpalljes “non grata” nga SHBA dhe nisjen e “Foltores” nëpër Shqipëri, propoganda e Sali Berishës po bën gjithçka për ta paraqitur të gjithën këtë, si një çështje morale mes tij e Lulzim Bashës.

Debati i sotëm në hapësirën opozitare rrotullohet rreth lojës banale të kungulleshkave, se kush e kush është më i mirë: I vjetri, apo riu? Ish Kryetari, apo Kryetari? Ish Kryeministri, apo aspiranti për Kryeministër? Ish Lideri i opozitës, apo lideri i saj aktual? Duke harruar se LEGJITIMITETI, është e vetmja “gozhdë” që mban të varur në murin e pluralizmit, tablonë komplekse të kësaj historie politike.

Pyetjet ku opinioni publik shqiptar ka ngecur sot si brenda rrjetës së merigangës janë të njëjtat: A duhej ta shiste Lulzim Basha, Sali Berishën, apo jo? A duhej ai që të zgjidhte për të mbrojtur “Babën”, apo ti shpallte luftë Amerikës? A duhej të hante bar, apo të kërkonte haviar? A është ai një politikan mirënjohës, apo mosmirënjohës? A duhet ta kthente PD në strehën e fundit të hallit personale të “liderit historik”, apo të respektonte vullnetin e aletatit strategjik të Shqipërisë e shqiptarëve?

Ndaj edhe kryepyetja që dëgjohet në çdo ambjent politik e shoqëror, në çdo bisedë formale e informale sot në Shqipëri, është vetëm një: A je më 11 dhjetorin, apo me 18 dhjetorin? A je me “Foltoren”, apo me SHQUP-in? A je që Sali Berisha të rikthehet për herë të tretë në Krye të PD dhe Shqipërisë, apo të vijojë Lulzim Basha? A thua se loja politike në një sistem demokratik, është thjeshtë një çështje tifozlliku dhe jo legjitimiteti.

Dikush duhet ti thotë mbështetësve të Sali Berishës, se ky diskutim ka marë fund herët, qëshkurse Weber-i e përcaktoi legjitimitetin si bazën e diferencave mjaft reale në mënyrën e ushtrimit të pushtetit,- qoftë kjo edhe brenda një partie politike apo një opozite. Nuk duhet harruar se Lulzim Basha gëzon autoritetin racional statutor, të mbështetur në besimin e “ligjshmërisë” së rregullave të lojës brenda PD dhe të zbatuara në respekt të strukturave dhe anëtarësisë së saj.

Me pak fjalë, ky debat i madh, fillon e mbaron tek përgjigja e pyetjes: A është Lulzim Basha legjitim si kryetar i PD? Përgjigja është: Po. Sepse ai u zgjodh për një mandat të ri 4 vjeçar deri në vitin 2025, nga një Kuvend Kombëtar i mbledhur sipas të gjitha normave të statutit të PD, në prani edhe të vetë Sali Berishës. Askush nuk e kontestoi këtë zgjedhje, as atë ditë, as të nesërmen deri në momentin kur Lulzim Basha e përjashtoi Sali Berishën nga Grupi Parlamentar i PD.

Në këto kushte, çdo kërkesë për ta shkarkuar atë thjeshtë dhe vetëm për shkak të hallit personal apo ambicjes së pastër bazuar mbi ego të kujtdo dhe jo për shkaqe thellësisht legjitime, është jo legjitime. Sali Berisha doli në një “Foltore” dhe e caktoi ai vetë, 11 dhjetorin si datën për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të PD, duke shpallur edhe ambicjen për ti zënë vendin Lulzim Bashës. Ai nuk zbatoi për këtë, asnjë rregull, asnjë normë, asnjë gërmë e as frymën e statutit të PD.

Ai është shtyrë në këtë ndërmarrje thjeshtë dhe vetëm nga nevoja jetike, për ta përdorur PD si bunker për të strehuar veten e familjarët e tij dhe jo nga “ligjshmëria” e rregullave të lojës politike në sistemin demokratik. Nëse një parti funksionon sipas logjikës së berishistëve, çfarë do të ndodhte nëse Edvin Kulluri përshembull që e ka shpallur edhe ai kandidaturën, të caktonte nga “foltorja” e tij datën 31 dhjetor për të mbledhur Kuvendin Kombëtar të PD? A do shkonte atje Sali Berisha dhe mbështetësit e tij?!

Përgjigja në këtë rast është shumë e thjeshtë: Jo. Sepse kjo datë nuk do të ishte legjitime, pavarësisht ambicjes legjitime të Edvin Kullurit, ndaj edhe vendimet që mund të mereshin atje do të ishin nul. Në të njëjtën logjikë, edhe 11 dhjetori i Sali Berishës, është jo legjitim.

Për Lulzim Bashën kushdo mund të thotë gjithçka edhe në të ardhmen, siç kanë thënë përgjatë gjithë këtyre viteve që ai ka hyrë në politikës, e deri më sot. Por askush nuk mund të thotë dot, se ai është një Kryetar ilegjitim i PD. Nëse do të ishte kështu, Sali Berisha nuk kishte nevojë të priste 11 dhjetorin për ti zënë vendin, por do ti kishte hyrë në zyrë e do ta nxirrte me shkelma përjashta që më 9 shtator pasi Lulzim Basha artikuloi përjashtimin e tij nga Grupi Parlamentar.