Prej pothuajse dy vjetësh, origjina e virusit SARS-CoV-2 mbetet mister dhe burim tensioni mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara.Rasti i parë i njohur COVID-19 ishte një shitës tregu në qytetin kinez Vuhan dhe jo një kontabilist që dukej se nuk kishte lidhje me tregun, por rasti i të cilit kontribuoi në spekulimet se virusi mund të kishte dalë nga laborator. Ky konkluzion del në një studim amerikan të publikuar në Science Magazine.
Kontabilisti, i cili mendohej se ishte personi i parë me COVID-19, raportoi se simptomat e tij të para u shfaqën më 16 dhjetor, disa ditë më vonë se sa dihej deri tani, thuhet në studimin e Universitetit të Arizonës.
Konfuzioni u shkaktua nga një problem dentar që ai kishte në 8 dhjetor. “Shfaqja e simptomave të tij erdhi pas rasteve të shumta në punëtorët në Huanan Market, çka e bën një shitëse femër të ushqimeve të detit, rastin më të hershëm të njohur, me fillimin e sëmundjes më 11 dhjetor“, thuhet në studim.
Sipas hulumtuesve, shumica e rasteve të hershme simptomatike në Vuhan ishin të lidhura me tregun, veçanërisht me seksionin perëndimor ku rakunët ishin të mbyllur në kafaz. Kjo forcon provat se origjina e pandemisë ishte tregu i kafshëve të gjalla. Një studim i përbashkët nga Kina dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) këtë vit përjashtoi teorinë se COVID-19 e kishte origjinën në një laborator, duke thënë se hipoteza më e mundshme ishte se ai infektonte njerëzit në mënyrë natyrale, ndoshta nëpërmjet tregtisë së kafshëve të egra. Një ekip ekspertësh i udhëhequr nga OBSH kaloi katër javë brenda dhe në periferi të Vuhanit dhe konkludoi në një raport të përbashkët në mars se virusi SARS-CoV-2 ndoshta ishte transmetuar nga lakuriqët te njerëzit përmes një kafshe tjetër, për llojin e së cilës duhen studime të tjera për ta zbuluar.