Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi në fjalën e tij gjatë prezantimit të projektbuxhetit për vitin 2022 për mbrojtjen e cilsëoi, arritje historike rritjen me 30 % të pagave për të gjithë ushtarakët.

Ai u shpreh se, janë mbi 6 mijë efektivë të FA që do kenë 30 % më shumë të ardhura në buxhet.

“Ne nuk presim duartrokitje nga opozita, është roli saj që t’i mëshojë pikave të dobëta ose t’i ekzagjerojë ato. Natyrisht qeveria kur prezanton buxhetin e ka të legjitimuar ta shoqërojë me optimizmin po të doni dhe entuziazmin ato prioritete për të cilat ushqehen, furnizohen nga ky buxhet. Për fat të mirë është i mbushur me lajme të mira për shumë sektorë. Natyrisht ju mund mos e thoni që është një arritje historike në kuptimin e rritjes më të madhe në 30 vite, rritja e pagave për të gjithë ushtarakët dhe nuk janë pak, por janë mbi 6 mijë efektivë të FA që do kenë 30 % më shumë të ardhura në buxhet”, tha Peleshi.

“Ju thoni ekzagjeroni në ekstrem deri në nihilizëm duke thënë që ky buxhet nuk sjell asgjë për askënd, për çdo fashë, për asnjë sektor. Kemi një rritje, jo deri në 30 %, po 30 % nga ushtari i parë deri tek gjeneralët; kemi një rritje të buxhetit me 32 % në total; kemi një rritje me 102 % në zërin e investimeve krahasuar me vitin korent”, theksoi Peleshi.

“Jam shumë krenar për buxhetin e MM. Përmenda disa shifra që nuk mund të kontestohen. Jemi në 1.75 % të GDP, detyrimi NATO është të shkojmë në 2 %. Grafiku për të shkuar aty deri në 2024 është: 1.75 % 2022, 1.85 % 2023 dhe 2 % në 2024. Po i përmbahem këtij buxheti në grafikun që thamë, pra detyrimi në NATO, por gjithashtu po furnizojmë mjaft mirë prioritetet dhe nevojat tona për modernizim”, shtoi Peleshi.

“Një rritje 30 %, është një rritje dinjitoze, motivuese dhe që na jep mundësi të rekrutojmë dhe më mirë me më shumë cilësi në radhët e të rinjve, të cilët natyrisht dhe me një pagë që do të shkojë rreth 500 mijë lekë apo diçka më tepër për ushtarin e parë dhe mbi 1 milion e gjysmë për gradat e larta të gjeneralëve, natyrisht që është motivuese”, tha Peleshi.

“Buxheti për rindërtimin rritet me 65 %. Kemi shumë punë për të bërë për të përmirësuar gatishmërinë. Kemi një buxhet, i cili do të na financojë disa nga prioritetet tona për të ngritur në një nivel tjetër gatishmërinë për t’i furnizuar nevojat për modernizim edhe për delegimin e blerjeve drejt Agjencisë së specializuar prokurimeve në NATO, ku besoj do të kemi më shumë fuqi negociuese dhe kontrata më të mira në fund”, u shpreh Peleshi.

“Ky buxhet furnizon të gjitha ambiciet tona për të qenë pjesë e misioneve ndërkombëtare të NATO-s, BE, OKB. Jemi aktualisht në Kosovë, Bosnje-Hercegovinë, në Mali, në Sudanin Jugor, por edhe në misione të tjera të NATO-s. Kemi shprehur gatishmërinë për të tjera misione që mund të fillojnë si në Irak. Jemi pjesë e iniciativave rajonale, kemi marrë pjesë në stërvitjen më të madhe të 30 viteve “Defender 21″ dhe përgatitemi për të qenë vend pritës për “Defender 23”. Përgatitjet siç e dini fillojnë më herët kështu që kemi organizuar konferencën e parë për “Defender 23”. Do të jetë një ngjarje përsëri shumë e rëndësishme strategjike për Shqipërinë, nëse ne do të jemi vendi pritës i kësaj stërvitjeje”, theksoi Peleshi.

Ministri u shpreh se, janë 3 fusha që do të ecin me një shpejtësi të shtuar në këtë vit financiar.

“Janë edukimi ushtarak. Akademia e FA, e cila po rimodelohet sipas modeleve akademike ushtarake të vendeve partnere kryesisht West Point, SHBA. Kemi një bashkëpunim shumë intensiv me ta”, tha Peleshi.

“Inovacioni është një fjalë që ne do ta ndeshim shpesh në prezantimet që ne do të bëjmë për punët në MM, sepse pranë Akademisë, por jo vetëm, do të instalojmë disa procese, të cilat nxisin inovacionin. Siç e tha dhe Ministri i Brendshëm, si një nevojë, jo si një luks në radhë të parë të vendeve më të vogla apo në zhvillim për të kapur kohën e humbur apo rritur shpejtësinë e avancimit”, theksoi Peleshi.

“Siguria kombëtare kibernetike. Natyrisht siguria kibernetike është pjesë e sigurisë kombëtare. Vullneti politik është që Ministria e Mbrojtjes të bëhet një qendër gravitacionale për të ndërtuar kapacitete të mbrojtjes kibernetike, jo vetëm për MM, por dhe për sisteme të tjera të shtetit dhe të sektorit privat”, përfundoi Peleshi.