Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, thotë se Lëvizja e tij Vetëvendosje po i analizon shkaqet e rezultatit të zgjedhjeve lokale. Pas rundit të dytë të këtyre zgjedhjeve, që u mbajt më 14 nëntor, Vetëvendosje përfundoi me udhëheqjen në katër komuna nga 38 gjithsej. Ky rezultat, sipas Kurtit, është i pakënaqshëm. Në lidhje me dialogun me Serbinë, Kurti thotë se është i gatshëm për këtë proces, por shton se takimi i radhës me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, do të varet nga dialogu në nivel negociatorësh.

Duke folur për marrëveshjen e mundshme me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve, ai thotë se ajo duhet të ketë në qendër njohjen reciproke. Sipas Kurtit, brengosës është edhe fakti i “militarizimit të Serbisë”.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Kurti, Lëvizja Vetëvendosje, në zgjedhjet e fundit lokale ka marrë udhëheqësinë në katër komuna nga 38 gjithsej. Si e komentoni këtë rezultat?

Albin Kurti: Ne kemi pritur që do të kemi rezultat më të mirë dhe, rrjedhimisht, rezultati nuk është i kënaqshëm. Tani po e bëjmë një lloj analize të brendshme për defektet strukturore dhe organizative, të cilat me siguri që janë shkak i rezultatit të pakënaqshëm. Por, në anën tjetër, është edhe fakti që kishte një lloj bashkimi shumë të madh, një koordinim të të gjithë të tjerëve kundër Lëvizjes Vetëvendosje. Besoj se këta dy faktorë kanë përcaktuar një rezultat jo të mirë për ne. Por, aty ku jemi opozitë, do ta bëjmë opozitën e mirë e të fuqishme, e aty ku jemi në qeverisje, do ta bëjmë qeverisjen e mirë dhe efikase.

Radio Evropa e Lirë: A mund të na shpjegoni më shumë defektet që po i përmendni?

Albin Kurti: Së pari, unë kam zhvilluar tashmë një takim me 12 kandidatët që i kemi pasur në balotazh – edhe ata që kanë fituar, edhe ata që nuk kanë fituar. Jemi duke pritur një raport të shtabit zgjedhor në Lëvizjen Vetëvendosje, mbi bazën e të cilit pastaj do të diskutojmë në kryesi. Ajo që mund të them se është evidente, është [fakti] se Lëvizja Vetëvendosje, në këto vitet e fundit, në këta katër vjetët e fundit, është rritur jashtëzakonisht shumë. Ne nuk kemi më as struktura, as organizatë, e cila është e përshtatshme për nga përmasa dhe as funksionale për nga përbërja, që t’i përgjigjet një rritjeje të këtillë. Pra, edhe zgjedhjet e 6 tetorit, 2019, edhe zgjedhjet e 14 shkurtit, 2021, na e kanë rritur shumë mbështetjen si Lëvizje Vetëvendosje dhe nuk kemi arritur që të mbajmë zgjedhje të brendshme dhe të krijojmë struktura që do të ishin adekuate për këtë situatë. Kjo është evidente, por natyrisht se ka edhe defekte të tjera, me të cilat do të na duhet të merremi.

“Nuk mendoj se ka pasur ndëshkim nga votuesit”

Radio Evropa e Lirë: Disa analistë politikë, por edhe pjesëtarë të opozitës kanë thënë se rezultati i zgjedhjeve lokale pasqyron një lloj ndëshkimi të Lëvizjes Vetëvendosje nga votuesit. A konsideroni ju se ka pasur një ndëshkim të tillë?

Albin Kurti: Nuk mendoj se ka pasur ndëshkim nga votuesit. Mendoj që mund të ketë pasur lëshime nga ana jonë, e strukturave tona. Por, unë besoj që qytetarët nuk e duan më pak Lëvizjen Vetëvendosje. Përkundrazi. Në zgjedhjet e 17 tetorit të këtij viti, ne u bëmë me votat e gjithmbarshme të parët edhe në nivel vendi, siç kemi qenë edhe në zgjedhjet parlamentare. Pra, në vitin 2017 ishim në nivelin e tretë, në rangun e tretë për zgjedhjet lokale. Tash jemi të parët edhe aty.

Mirëpo, zgjedhjet lokale, për dallim prej zgjedhjeve parlamentare, janë një lloj tjetër i lojës dhe rregullave elektorale. Është pak a shumë sikur në tenis, ku mund të fitosh shumë ‘game’, por mund të humbasësh set-in. Edhe ne, me votën e gjithmbarshme të popullsisë, jemi të parët në Republikë për zgjedhjet lokale, ndonëse do të kemi kryetarë vetëm në katër komuna.

Radio Evropa e Lirë: A mendoni se kanë luajtur rol edhe kandidatët që i keni pasur?

Albin Kurti: Padyshim, por kandidatët janë përzgjedhur nga një lloj bashkëpunimi midis qendrave tona, degëve tona dhe kryesisë së Lëvizjes. Ndoshta ka mundur më mirë, mirëpo unë jam i bindur se këta 12 kandidatë që i kemi pasur në balotazh, nuk kanë mundur të përzgjidhen më mirë. Por, ka pasur koordinim tejet të madh të të tjerëve kundër Lëvizjes Vetëvendosje. Kjo mendoj se nuk ka të bëjë aq shumë me pushtetin lokal dhe vizionet për komunat, por ka shumë më tepër të bëjë me një lloj kundërvënieje ndaj pushtetit qendror, që ka dalë nga zgjedhjet e 14 shkurtit, e që vazhdojnë të jenë një lloj traume opozitare.

Radio Evropa e Lirë: Përmendët që do të bëni opozitë aty ku është e nevojshme në nivel lokal. Por, si pritet të jetë bashkëpunimi me kryetarët e zgjedhur nga niveli qendror, nga ju si kryeministër?

Albin Kurti: Unë sigurisht që do të bashkëpunoj me të gjithë kryetarët. Ata do të kenë shumë punë për t’iu shërbyer qytetarëve, sa u përket detyrave institucionale që i kanë, shërbimit publik që banori i komunës duhet ta marrë. Por, po ashtu synoj që të bashkëpunoj me ta edhe sa i përket luftimit të krimit dhe korrupsionit. Kjo është tejet e rëndësishme, sepse nuk mund të ketë zhvillim, nëse ka korrupsion, nëse ka krim, nëse ka keqpërdorime. Prandaj, sidomos në fushën e luftimit të krimit dhe korrupsionit do të kërkoj bashkëpunimin me kryetarët e komunave dhe do t’i mbikëqyr ata me vëmendje.

Takimi ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Bruksel, 15 korrik 2021.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Kurti, po thoni në vazhdimësi se Serbia është problemi kryesor, megjithatë Kosovës po i kërkohet një lloj kompromisi për të vazhduar tutje në politikën e jashtme, për të arritur edhe njohjet që deri më tani nuk janë arritur. Si e shihni vazhdimin e këtij procesi? Na intereson të dimë edhe si e shihni angazhimin e SHBA-së, sidomos në kohët e fundit, me dërgimin e emisarit Gabriel Escobar. A e shihni një ofensivë të diplomacisë amerikane në dialog si një lloj shtyse për arritjen e kompromisit?

Albin Kurti: Ne gjithmonë e mirëpresim angazhimin amerikan në Ballkan, mirëpo për formën dhe intensitetin e atij angazhimi vendosin vetë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ato janë superfuqia botërore, e cila vendos për këtë gjë. Në faza të ndryshme ka qenë e ndryshme, sepse politikat e tyre janë sovrane. Në anën tjetër, unë jam këtu si kryeministër i Republikës së Kosovës, jo për të menduar për kompromiset që duhet t’i bëjë Kosova, por për ta forcuar shtetin e Kosovës.

Rritja ekonomike në këtë vit do të jetë së paku 9.9 për qind sipas Bankës Qendrore të Kosovës, ndërkohë që ekonominë e kemi marrë nga viti i kaluar me tkurrje prej 3.1 për qind, sipas Bankës Botërore. Për një të tretën janë rritur të hyrat buxhetore, i kemi zvogëluar shumë shpenzimet qeveritare dhe e kemi miratuar në mbledhjen e Qeverisë buxhetin për vitin 2022, i cili është 8.7 për qind më i lartë sesa rishikimi i buxhetit në mesvit. Qarkullimi në ekonomi është rritur për 30 për qind, eksportet janë rritur 68 për qind. Ne kemi problem me Serbinë, mirëpo, në të njëjtën kohë, ne duhet të jetojmë dhe të forcohemi.

Në gjashtëmujorin e këtij viti kishim 230 milionë investime të huaja, që është 33 për qind më shumë se viti i kaluar dhe 109 për qind më shumë sesa viti 2019 dhe 89 për qind më shumë se mesatarja e investimeve të huaja të dekadës 2010-2020. Që nga shpallja e pavarësisë, sivjet në gjashtëmujorin e parë kemi numrin më të madh të investimeve të huaja dhe vlerën më të madhe të tyre në Kosovë.

Radio Evropa e Lirë: Do të doja të kalonim pak në një prej krizave ose krizën më të madhe në të cilën po kalon Kosova, por edhe bota – pandeminë e koronavirusit. Nëse e marrim me numrin e përgjithshëm të popullsisë në Kosovë, vaksinimi arrin diku pak më shumë se 40 për qind të popullsisë së vaksinuar. Si mendoni që të arrini cakun e vaksinimit të shumicës së popullsisë dhe si mendoni që t’i bindni qytetarët që hezitojnë për vaksinim?

Albin Kurti: Tashmë ne kemi hequr obligimin për caktim termini për vaksinim dhe kemi krijuar mundësinë edhe për vaksinim të fëmijëve nga mosha 12 deri në 15 vjeç. Nëse shikojmë popullsinë mbi moshën 16-vjeçare, me së paku një dozë të vaksinës anti-COVID janë të vaksinuar 64 për qind e popullsisë, ndërkaq me dy doza 56 për qind e popullsisë – gjithnjë e popullsisë mbi 16-vjeçare. I jemi afruar shifrës prej 1.6 milion dozave të administruara. Po bëjmë gjithçka që është e mundur që kjo të rritet. Në 30 ditët e fundit, përgjithësisht, kemi numër njëshifror të vdekjeve. Në dy javët e fundit ka rënë me dy të tretat numri i infeksioneve dhe besoj se këto janë lajme të mira për Kosovën, e cila është në krye të Ballkanit Perëndimor sa i përket menaxhimit me pandeminë, duke mos harruar se kur kam ardhur këtu në zyrë, më datën 23 mars të këtij viti, ka pasur zero vaksina, zero kontrata për vaksina dhe zero negociata për kontrata.

Radio Evropa e Lirë: Megjithatë, jemi dëshmitarë të asaj që për shkak të hezitimit për marrjen e vaksinës dhe teorive konspirative që janë përhapur, shumë vaksina kanë shkuar dëm, për shkak që qytetarët nuk kanë pranuar t’i marrin. A mendoni se keni bërë mjaftueshëm në fushatë për bindje të qytetarëve për vaksinim dhe për largimin e teorive për dëme nga vaksinat?

Albin Kurti: Ne kemi bërë krejt çfarë mundemi e dimë. Duhet të gjejmë ndoshta edhe forma të reja për t’i vetëdijesuar qytetarët për këtë gjë, mirëpo nuk do të mund ta kemi shkallën e vaksinimit si në të kaluarën edhe për shkak të një lloj ngopjeje që ekziston, por edhe për shkak se një numër i konsiderueshëm i qytetarëve të Republikës së Kosovës nuk janë banorë të Republikës së Kosovës. Pra, kur flasim për statistika, Kosova vazhdon të ketë moshë të re të popullsisë, por në të njëjtën kohë vazhdon ta ketë edhe emigrimin e vazhdueshëm, paçka se u çliruam, e u shpall pavarësia. Prandaj, kur flasim për përqindjen e popullsisë, ngjashëm pak sikur përqindja e daljes në zgjedhje, ajo është realisht më e lartë sesa shifra para përqindjes.

Radio Evropa e Lirë: Përtej vaksinimit jemi dëshmitarë të rritjes së numrave me COVID-19 nëpër rajon. Megjithëse Kosova tani qëndron mirë, ekspertët shëndetësorë kanë paralajmëruar që kjo situatë mund të importohet edhe në Kosovë. Cilat janë planet e juaja tani, sidomos në prag të sezonit të dimrit, për të evituar një valë më të rëndë të COVID-19?

Albin Kurti: Ne do të kemi tani ministër të Shëndetësisë, me të cilin do të ulemi bashkë dhe do ta bëjmë një plan të ri për rrugën përpara, sidomos për stinën e dimrit dhe, në këtë mënyrë, besoj se do të vazhdojmë të jemi në krye të detyrës, t’i mbajmë shifrat e ulëta të infeksioneve të reja, t’i mbajmë gjithnjë më të larta shifrat e vaksinimeve të reja. Nëse vjen një valë tjetër në rajon dhe Evropën Perëndimore, është e pritshme që edhe ne do të mund të kemi vështirësi. Por, me vullnetin dhe dijen që kemi dhe me përvojën që tashmë posedojmë, jam optimist.

Radio Evropa e Lirë: Në shtetet e Evropës, për shembull, në Austri janë vendosur disa masa drastike për personat e pavaksinuar, si përpjekje për t’i ulur numrat gjithnjë e në rritje. A planifikoni ju si qeveri që në të ardhmen të ketë masa të veçanta për personat jo të vaksinuar, si për shembull izolimi?

Albin Kurti: Ne nuk e kemi parashikuar një masë të tillë drastike dhe gjendja epidemiologjike në vendin tonë, rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik nuk na japin mundësinë që të shkojmë në drejtim të një rreptësie të tillë. Nuk mund të parashikoj se si do të jetë në të ardhmen. Mund të ndryshojë kjo. Por, duhet ta keni parasysh që vendimet tona si qeveri edhe kur janë politike e kanë një substancë shkencore përbrenda. Pra Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik i cili në masë të konsiderueshme u jep drejtim e rreze veprimi vendimeve që i merr Qeveria e Kosovës.