Nga Bledi Lumani/ Në gjithë këto vite, fabula e vetme e opozitës ka qenë Edi Rama: Ai ishte i korruptuari, hajduti i votave, njeriu i lidhur me krimin, që duhej rrëzuar një orë e më parë, në mënyrë që të vinin këta në pushtet dhe të na shpëtonin.
Por tani shohim se nuk qenka tamam kështu. Ose më saktë, sipas atyre që vetë thonë, këta qenkan edhe më keq se Edi Rama, se ia paskan pas me të futur edhe njëri-tjetrit, jo më neve!
Tani del Berisha dhe ata që e ndjekin nga pas dhe thonë se nuk është vetëm Rama i korruptuari dhe i keqi, por edhe Lulzim Basha, me të cilin kanë një 20 vite që ndajnë çdo gjë.
Vetëm se këta veç para nja dy muajsh e njohën që ai paska qenë jo vetëm i paaftë, që nuk ka fituar asnjë palë zgjedhje, por edhe hajdut që ndan lekët me Taulant Ballën, tradhtar se bashkëpunon me Sorosin kundër PD dhe Berishës, i marrë peng nga Rama, me të cilin paska marrëveshje të fshehtë, dhe gjithfarë poshtërsish të tjera, që ne nuk i dinim dhe po na i zbulon “Foltorja” ditë pas dite.
Nga ana tjetër del Lulzim Basha, që thotë pak a shumë të njëjtat akuza, këtë radhë për Berishën. Edhe ky nuk e paska njohur Berishën gjithë këto vite, se siç i ka thënë një plak i urtë para ca kohësh, që ta njohësh vërtet Berishën, duhet ta kesh përballë si kundërshtar.
Dhe tani që e ka përballë, Basha paska zbuluar se Berisha është i lidhur me krimin, se është palë me Tom Doshin, “Qifen” dhe këta të fortët e Elbasanit, madje edhe se bashkëpunon me vetë Ramën kundër tij, bashkë me Ilir Metën, të cilit deri para ca muajsh i shkonte në zyrë sa herë e thërriste, për të çuar para “revolucionin” e tyre, që iu mbeti rrugës.
Në fund pastaj del edhe Ilir Meta, që mesa duket i ka ardhur prapë goja pas shpullave që mori më 25 prill dhe na tregon si ka bërë gjithë këto sakrifica për ish-aleatin e tij Lulzim Basha, duke e përdorur Presidencën si zyrë të opozitës, por ky i fundit nuk e paska merituar gjithë këtë, se i tradhtoi dhe po mban anën e SHBA, kundër Doktorit dhe Metës.
I vetmi që nuk përmendet më në gjithë këtë histori, me akuza tradhtish, korrupsioni e lidhje me banda e kriminelë, është Edi Rama. I cili, tani na dalka më i ndershmi, ndryshe nga sa na thoshin këta, që tani po shqyejnë njëri-tjetrin.
Kuptohet, jo se kjo është e vërtetë, por kur dëgjon këta, i jep të drejtë Edi Ramës, që thotë se “nuk jemi më të mirët, por më të mirë se ne s’ka”.
Ndaj dhe jemi këtu ku jemi!