“Ne na njohu

një e tretë,

dashuria.”

Ndërsa lexojmë këto vargje, është vënë re se kohët e fundit poetë të njohur shkruajnë gjithmonë e më pak për dashurinë.

Ndryshe ndodh me poetin Preç Zogaj. Ai ka botuar një libër të ri me motive mbi dashurinë që vjen vetëm pak vite më vonë, pasi pati botuar plot 101 poezi dashurie të përmbledhura në vëllimin “ In LOVE”

Pikërisht, “Një e tretë, dashuria” quhet libri i ri i poetit Preç Zogaj që u promovua në mjediset e UET.

Poeti përmes vargjeve, rrëfen ndjesitë që fshihen bukur brenda qenies, mallin për përjetimet më të ndritshme të jetës.

“Animizimi i dashurisë është një gjë që edhe na përket, por edhe s’na përket. Është si një lloj shkesi, le ta themi kështu në mënyrë shumë të zakonshme…”-thotë poeti Preç Zogaj. Libri i Zogajt u vlerësua nga poetja Natasha Lako sidomos për gjuhën shprehëse.

“O Pashkë, o shokë të fëmijërisë

Ju mbaj mend si këto kurora pemësh,

që i pjalmon ndagadalë era e majit.

Në poezitë e Zogaj ka një lulëzim fjala”, -tha poetja Natasha Lako, duke recituar vargje të zgjedhura nga libri i ri.

Drejtoresha e qendrës së librit Alda Bardhyli u shpreh se me këtë libër Zogaj pasuron erosin në historinë e letërsisë shqipe.

Shkrimtari Rudolf Marku vlerësoi poezitë që i dedikohen dashurisë, dhe foli për domosdoshmërinë e qasjeve të frymës poetike me autorë të shquar.

“Është e pamundur mos të imitosh. Problemi është të jesh i paimitueshëm si kushkund, sepse të njëjtat tema janë. Është një koncept i vjetër. Është një koncept i madh i poezisë së dashurisë dhe rrimarrja intuitive që i bën Preç Zogaj, është merita e madhe e kësaj poezie”, -tha Rudolf Marku.

Në këtë libër poeti e idealizon femrën si sinomim të së bukurës, por krahas poezive të dashurisë, një vend të veçantë zë edhe dashuria për vendlindjen, jetën dhe miqtë.