Në takimin e 15-të të ministrave të Bujqësisë së Evropës Jug-Lindore, zhvilluar në Tiranë, në kuadër të marrjes së Presidencës së SWG-së për vitin 2022 nga Shqipëria, ministrat e bujqësisë nga vendet e EJL dhe krerët e delegacioneve u dakordësuan për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve tona, jo vetëm në hartimin e strategjive rajonale, por edhe në krijimin e mekanizmave të duhur.

Bashkëpunimi rajonal dhe Evropian ishte një nga fokuset kryesore të takimit. Ministrat folën për rëndësinë e bashkërendimit të politikave në favor të rritjes së tregtisë rajonale, krijimin e një mjedisi efektiv për një proces të përshpejtuar të anëtarësimit në BE.

Ajo çka nuk kaloi pa u vënë re, ishte prezenca e ministrit të Kosovës, Faton Peci dhe e ministrit të Serbisë, Branislav Nedimovic, në të njëjtën tavolinë. Dy ministrat homologë nuk hezituan ftesën e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për të qenë pjesë e këtij takimi të rëndësishëm për rajonin juglindor, ku morën fjalën e ndanë mendimet mbi ekonominë rajonale në një tryezë të përbashkët.