Nga Skënder Minxhozi/ Ka një vend, më saktë një zyrë në ngrehinën e opozitës së sotme shqiptare, ku askush nuk shkel, ku të gjithë largohen si të ishte fjala për një depozitë mbetjesh radioaktive. Është fjala për zyrën e kreut të Këshillit Kombëtar të PD Edi Paloka. Aty ndodhen të stivuara në kasafortë 4200 fletë formulari, që përbëjnë sot shpresën e vetme për Sali Berishën, që të rimarrë partinë që drejtoi për 23 vjet. Gjithë ditën flasin për të, por askush nuk shkel aty.
Ky pirg fletësh të firmosura në atë zyrë janë sot molla e madhe e sherrit që po dizintregon Partinë Demokratike, duke fokusuar çdo projektor mbi opozitën, e jo mbi punët e qeverisë. Nëntë ditë pasi përkrahësit e Doktorit vunë mbi tryezën e Edi Palokës formularët për thirrjen e kuvendit, askush në PD nuk ka mundur të gjejë një kompromis për të nisur verifikimin e tyre. Në të kundërt, Lulzim Basha shpejtoi të organizojë kongresin e tij një javë më pas, megjithëse të numërosh 4200 fletë letre është ku e ku më e lehtë sesa të thërrasësh 7500 burra e gra në Tiranë (vetë shifra, meqë ra fjala, është qesharake)!
Si është e mundur që një parti e madhe, e vjetër dhe që ka qeverisur vendin, të mos gjejë dot se çfarë kanë brenda 4200 fletë që ndodhen në selinë e saj qëndrore? Si mundet që bashistë dhe berishistë po shkojnë me zell dhe naivitet drejt një përplasjeje frontale që do të shkatërrojë partinë, e nuk ulen dot të flasin qetë e të gjejnë një kompromis në lidhje me statutin, formularët, Kuvendin dhe gjithë reston e sherrit që po rrënon sot imazhin e opozitës?
Përgjigja është fare e thjeshtë dhe gjendet në zyrën e zotit Paloka: sepse askush nuk do t’i japë fund vetë sherrit! Prandaj të gjithë i largohen asaj dere sot. Megjithëse të dyja palët shprehen të gatshme për të verifikuar delegatët dhe matur forcat në fushë të betejës, e vërteta është paksa ndryshe.
Në njërën anë berishistët, luajnë bllofin duke ftuar Bashën që të nisin verifikimin e fletëve, duke e ditur se ky i fundit do të thotë prerë “Jo”. Nëse Berisha do të donte transparencën e formularëve, e jo bllofin ndaj Bashës, mjaftonte të ftonte mediat e Tiranës në zyrën e Palokës e të niste vetë verifikimin e 4200 fletëve. Më tej akoma, nëse do të donte transparencën e jo bllofin, do të mjaftonte të paktën të afishonte në rrjet listën emërore të firmatarëve, duke njoftuar opinionin publik se cilët do të jenë protagonistët e 11 dhjetorit.
Berisha dhe të tijët thonë pas kamerave se po e bënë këtë gjë, Basha nis presionet dhe një pjesë e atyre që kanë firmosur mund të kthejnë mendje. Një tezë pak e besueshme, nga momenti që të gjithë e dinë që mes Berishës dhe Bashës, ai që ngjall më tepër frikë është i pari, jo i dyti.
Në anën tjetër, kemi shoun e zotit Basha në lidhje me fletët në zyrën e Edi Palokës. Ai ngul këmbë që fletët të dërgohen në sekretarinë e PD. Njëlloj si t’i varësh ujkut mëlçitë, do thoshin berishistët, sepse formularët e kuvendit s’mund të dërgohen në derën e një lidershipi partiak që ka thënë me dhjetra herë se “nuk do të ketë Kuvend antiamerikan”!
Arsyet e vërteta të këtij bllofi dypalësh në lidhje me 4200 formularët në zyrën e Palokës, janë të tjera dhe janë më banale.
Sali Berisha e di që ka shumë formularë të rregullt në atë kasafortë, por e di se ka edhe plot firma pa lidhje, nga persona që s’janë delegatë me tagër zyrtar, e ndoshta edhe firma militantësh të marra nëpër kafene me një të shtrënguar dore e pa e ditur se përse bëhet fjalë. Mediat kanë dhënë shembuj konkretë këto ditë në lidhje më këtë gjë. Berisha e di se shifra 4200 është shumë e bukur për të qenë e vërtetë.
E di dhe Lulzim Basha këtë gjë, i ka të gjitha informacionet. Pra që Doktori nuk ka në kasafortë aq sa thotë. Po pse atëhere nuk shkon me vrap t’i numërojë ato fletë, e ta nxjerrë Berishën mashtrues?! Fare e thjeshtë. Sepse Luli di gjithashtu se Berisha ka më pak se 4200 firma në zyrën e Edi Palokës, por me gjasë mund të ketë më shumë se 1800 të tilla. Pra, mund ta thërrasë Kuvendin e jashtëzakonshëm. Dhe kjo i rrëzon Bashës çdo dëshirë që të nisë demaskimin e Doktorit për fletët e parregullta. Pasi nëse Kuvendi i Berishës merr dritën jeshile, karriera politike e Lulzim Bashës mbyllet.
Ky ekuacion lëvizjesh taktike i mban sot të gjithë larg zyrës së Edi Palokës. Duan më mirë secili Kuvendin e vet, për të kënduar fitore, sesa të gjejnë një zgjidhje që të shpëtojnë partinë. Fatet personale të dy burrave po shkërmoqin sot indin e Partisë Demokratike, po bjerrin imazhin e saj publik, po rrëzojnë përtokë autoritetin që ka pasur dhe ka tek një pjesë e madhe e elektoratit shqiptar. E meqë kjo luftë nuk mbaron as në 11, e as në 18 dhjetor, shanset janë që dy dasmorët që tundin shaminë e valles, të vazhdojnë të kacafyten edhe më tej mbi rrënojat e partisë. Në Parlament, ku do të jetë edhe destinacioni final e afatgjatë i kësaj përballjeje gjelash.
Ndërkohë zyra e Edi Palokës vijon të mbetet e pavizituar nga askush që ka në dorë të zgjidhë krizën. Epiqendra procedurale e sherrit po lihet mënjanë qëllimisht që konflikti të mos zgjidhet. Sepse e vërteta është ajo që ka më pak peshë në këtë mishmash në PD, ku thelbi i krizës lidhet jo me daljen prej saj, por me eleminimin e tjetrit përballë.