Nga Smriti Mallapaty “Nature”
Imagjinoni sikur të keni lindur me një rezistencë natyrore ndaj SARS-CoV-2, dhe të mos shqetësoheni kurrë se mos prekeni nga Covid-19 apo mbi përhapjen e koronavirusit. Nëse e keni këtë superfuqi, atëherë studiuesit duan që t’ju takojnë dhe t’ju bëjnë pjesë të studimit të tyre të ri. Sikurse raportohet në një artikull në “Nature Immunology“ këtë muaj, një ekip ndërkombëtar shkencëtarësh ka nisur një gjueti globale për njerëzit që janë gjenetikisht rezistentë ndaj infeksionit me koronavirusin, që ka shkaktuar një pandemi globale prej gati 2 vitesh. Ekipi shpreson që identifikimi i gjeneve që i mbrojnë këta individë, mund të çojë në zhvillimin e barnave bllokuese të virusit, që jo vetëm do t’i mbrojnë njerëzit nga Covid-19, por edhe t’i pengojnë ata që t’ua transmetojë virusin të tjerëve.
“Është një ide e mrekullueshme, dhe gjëja me e zgjuar që mund të bëhet”- thotë Meri Kerrington, imunogjeneticiste në Laboratorin Kombëtar Frederik për Kërkimin mbi Kancerin në Betesda, Merilend. Por suksesi nuk është i garantuar. Nëse ekziston vërtet rezistenca gjenetike ndaj koronavirusit SARS-CoV-2, me këtë tipar mund të ketë “vetëm një grusht njerëzish”, thotë Izabel Mejts, imunologe dhe mjeke pediatrike në Universitetin Katolik të Luvenit në Belgjikë, e cila është pjesë e konsorciumit që qëndron pas kësaj përpjekjeje globale. “Problemi është se si t’i gjejmë ata njerëz. Është një mision shumë sfidues”-thotë Sunil Ahuja, specialist i sëmundjeve infektive në Qendrën e Shkencave Shëndetësore të Universitetit të Teksasit në San Antonio.
Megjithatë, autorët e studimit, përfshirë Evangelos Andreakos, imunolog në Fondacionin e Kërkimeve Biomjekësore të Akademisë së Athinës, Greqi, thonë se janë të sigurt në gjetjen e këtyre njerëzve. “Edhe nëse e identifikojmë vetëm një të tillë, do të ishte diçka vërtet madhështore”- thotë ai.
Hapi i parë është ngushtimi i kërkimit tek njerëzit që janë të ekspozuar, pa mbrojtje, ndaj një personi të sëmurë për një periudhë të gjatë, dhe që nuk kanë rezultuar pozitivë, apo nuk kanë krijuar një përgjigje imune kundër virusit. Me interes të veçantë janë njerëzit që kanë ndarë të njëjtën shtëpi dhe shtrat me një partner të infektuar, çifte të njohura si “çifte të papajtueshme”. Ekipi i bashkautorëve nga 10 qendra kërkimore në mbarë botën, nga Brazili në Greqi, ka rekrutuar tashmë rreth 500 kandidatë të mundshëm, të cilët mund t’i përshtaten këtyre kritereve. Dhe që nga publikimi i studimit të tyre më pak se 2 javë më parë, 600 persona të tjerë, përfshirë disa nga Rusia dhe India, i kanë kontaktuar ata, duke u emëruar si kandidatë të mundshëm.
Përgjigja ishte një surprizë e vërtetë, thotë Zhan-Loren Kazanova, gjenetist dhe bashkautor i studimit në Universitetin Rokfeler në Nju Jork. “Unë nuk mendoja se do të na kontaktonin vetë këta njerëz”- shton ai. Qëllimi është që studimi të përfshijë të paktën 1000 njerëz; teksa Andreakos thotë se ka filluar tashmë analizimi i të dhënave të para. Por studiuesit mund të jenë përpara një misioni thuajse të pamundur, duke pasur parasysh vështirësitë për të provuar se kandidatët kanë qenë shumë të ekspozuar ndaj korovavirusit, thotë Ahuja. Po ashtu ata duhet të konfirmojnë nëse partneri i sëmurë ka derdhur drejt tyre doza të larta të virusit të gjallë, në kohën kur çifti po ndërvepronte ngushtësisht me njëri-tjetrin.
“Çiftet e papajtueshme” nuk janë të rralla. Por është e rrallë të gjesh ata që i plotësojnë këto kritere, dhe që të jenë testuar rregullisht, shton ai. Fakti që shumë njerëz tani janë vaksinuar, e maskon potencialisht çdo lloj rezistencë gjenetike ndaj virusit, dhe e kufizon më tej grupin e njerëzve mbi të cilët mund të kryhet studimi.
Pasi të kenë identifikuar kandidatët e mundshëm, studiuesit do të krahasojnë gjenomet e individëve, me ato të njerëzve që janë infektuar, në kërkim të gjeneve që lidhen me rezistencën. Çdo gjen pretendent do të studiohet në modelet e qelizave dhe kafshëve, për të konfirmuar një lidhje shkakësore me rezistencën, dhe për të vendosur mekanizmin e veprimit.
Ekipi i Kasanovës ka identifikuar më herët disa mutacione të rralla, të cilat i bëjnë njerëzit më të ndjeshëm ndaj formave të rënda të Covid-19. Por tani ata po ndryshojnë fokusin nga ndjeshmëria tek rezistenca ndaj virusit. Në studimet gjenetike të quajtura “studime të shoqërimit të së gjerë të gjenomit (GËAS), grupe të tjera kanë depistuar ADN-në e dhjetëra mijëra njerëzve, në kërkim të ndryshimeve të vetme nukleotide – të cilat zakonisht kanë vetëm një efekt të dobët biologjik – duke identifikuar disa kandidatë të mundshëm që lidhen me një ndjeshmëri më të vogël ndaj infeksionit. Një nga këto pika gjendet në gjenin përgjegjës për grupin e gjakut të tipit O, por efekti i tij mbrojtës është i vogël, thotë Kerrington, dhe nuk është e qartë se si është arritur. Studiuesit që janë pjesë e projektit të ri, kanë hipotezuar llojin e mekanizmave të rezistencës që mund të zbulojnë.
Arsyeja më e dukshme, mund të jetë fakti që disa njerëz nuk kanë një receptor funksional ACE2, të cilin SARS-CoV-2 e përdor për të hyrë në qelizat e njeriut. Ky lloj mekanizmi është vënë re më parë me HIV-in, virusin që shkakton sëmundjes e SIDA-s. Ahuja dhe Kerrington u përfshinë që vitet 1990 në identifikimin e një mutacioni të rrallë që çaktivizon receptorin ÇR5 në qelizat e bardha të gjakut, duke parandaluar hyrjen e HIV-it në to. Ai zbulim çoi në zhvillimi e një serie barnave bllokuese të HIV-it. Njerëz të tjerë rezistentë ndaj SARS-CoV-2, mund të kenë një përgjigje imune shumë të fuqishme, sidomos tek qelizat që ndodhen në pjesën e brendshme të hundës. Andreakos thotë se disa njerëz mund të kenë mutacione që i nxitin gjenet ta ndalojnë virusin të riprodhohet dhe të ripaketohet në grimca të reja virale, apo ta shpërbëjnë që në qelizë ARN-në virale. Pavarësisht sfidave, ai është optimist për zbulimin e njerëzve që janë natyralisht rezistentë ndaj koronavirusit. “Ne kemi besim se do t’i gjejmë ata”-thotë ai.