Marrëveshja e koalicionit e tre partive gjermane që do të formojnë qeverinë e re federale mbështesin fuqimisht integrimin evropian të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, mëson European Western Balkans.
Marrëveshja propozon hapjen e kapitujve të parë të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, liberalizimin e vizave për Kosovën dhe vazhdimin e negociatave me Malin e Zi dhe Serbinë.
“Ne mbështesim integrimin evropian të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe, në këtë kuptim, reformat e nevojshme për të përmbushur të gjitha kriteret e Kopenhagës”, thuhet në dokument.
Në këtë kuadër do të forcohet edhe shoqëria civile, shtohet më tej.
Aty thuhet se mbështetet gjithashtu dialogu Beograd-Prishtinë i zhvilluar nën kujdesin e BE-së, si dhe përpjekjet për të ruajtur paqen afatgjatë në
Bosnje Herzegovinë bazuar në ruajtjen e integritetit territorial dhe kapërcimin e dallimeve etnike.
Po ashtu marrëveshja nënvizon se paralelisht me negociatat e anëtarësimit, duhet të përmirësohet kapaciteti i BE-së për të pranuar anëtarë të rinj.
Sot, socialdemokratët, liberalët dhe të gjelbërt prezantuan marrëveshjen e tyre të koalicionit.
Kancelar i ri i Gjermanisë do të jetë kreu i socialdemokratëve, Olaf Scholz, ndërsa Ministria e Jashtme, e cila përfshin edhe portofolin e Çështjeve Evropiane, pritet t’i kalojë të Gjelbërve.