Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku tha se qeveria ka miratuar 3 vendime për shpronësimet e banorëve që preken nga ndërtimi i infrastrukturës konkretisht në Vlorë, patos dhe Roskovec.

“Kaloi 3 akte që janë të lidhur me shpronësimet në Bypass e Vlorës për të përfunduar punën e nisur në fillim sezonit veror 2022, shpronësimet në Patos për të vazhduar me projektin e shëtitores në kuadër të rilindjes së qytetit dhe në Roskovec që lidhet me punimet për ujësjellësin”, tha Balluku.

Balluku foli edhe për reformën e thellë që do të prekin ujësjellësit për të ofruar shërbime sa më cilësore.

“Në Roskovec është pjesë e strategjisë për të investuar në të gjithë ujësjellësit në Shqipëri. Ne kemi nisur një reforme të thellë të sektorit që do të përfundojë brenda 12 muajsh dhe do të nis një mënyrë të re menaxhimi. Fondet e i investuara në sektorin e ujit kanë rritur kushtet teknik të ujësjellësve, por nuk janë indikatorët që ne prisnin pas punës dhe shumës të madhe të investuar. Pa cenuar pushtetin vendor, por duke pasur parasysh që shërbimet cilësore janë prioritet dhe do të nisim reformë për sektorin e ujit për të rritur menaxhimin në secilin bashki’, tha Balluku.