Në një komunikim me gazetarët shqiptarë nga Beogradi, Kryeministri Rama tha se ‘Ballkani i Hapur’ ka të njëjtin vizion dhe kornizë si Procesi i Berlinit.

“Sinqeriteti i të gjitha deklaratave të gjithë liderëve dhe politikanëve provohet në fushë. Presidenti i Serbisë e tha hapur që e mirëpret Kosovën njësoj si 2 vende të tjera. Kjo deklaratë testohet vetëm nëse Kosova vjen në këtë nismë. Kjo nismë ka qenë domosdoshmëri kohë më para se të lançohej. Procesi i Berlinit ishte i destinuar të kthehej në një proces samitesh dhe deklaratash pa e zbatuar. Ai ka vizionin dhe kornizën që është 100% si ai i Ballkanit të Hapur. Por nuk është një proces që drejtohet në Berlin dhe në Bruksel. Ballkani i Hapur është njësia që ngrihet në çdo vend, në çdo iunstitucion kur zbatohet një projekt me fonde të huaja. Pra, është thjesht Procesi i Berlinit që merret përsipër nga ne për t’i bërë realitet ato që bëhen në deklarata”, tha Rama, duke nënvizuar dakordësinë se Serbia duhet të kërkojë falje ndaj shqiptarëve por kjo falje sipas tij vjen në fund dhe nuk mund të vijë në fillim duke cekur rastin e Gjermanisë dhe Francës.