Kryeministri Rama ka zbuluar sot përmes rrjetit social facebook atë që ai e quan një lajm të bukur, përzgjedhjen e Shqipërisë si vend xhirimi të 12 serive të emisionit më të famshëm holandez “Kush është i infiltruari”, emision që sipas Ramës do t’i tregojë publikut holandez një Shqipëri krejt tjetër nga ajo e stereotipit të krijuar në kaq shumë vite për atdheun e shqiptarëve.
“U zbulua sot në Holandë sekreti i sezonit të ri të reality show-t të famshëm hollandez, “Kush është i infiltruari”, i cili këtë vit është xhiruar në vendin tonë me plot 12 seri, që janë promovimi më fantastik i bukurive magjepsëse të vendit tonë dhe do t’i tregojnë publikut hollandez një Shqipëri krejt tjetër nga ajo e stereotipit të krijuar në kaq shumë vite për atdheun e shqiptarëve. Kur trupa e xhirimit erdhi në Shqipëri për hulumtime, mundësia që vendi ynë të zgjidhej ishte fare e vogël, por në fund të qëndrimit të tyre pak ditor këtu, ata ishin 100% të bindur për Shqipërinë si vendi ideal për spektaklin e tyre”, shkruan Rama.
Që nga data 1 janar 2022, publiku holandez do të ndjekë më kërshëri se si konkurrentët VIP-a holandezë do të skualifikohen një nga një gjatë aventurave në vendet më mahnitëse të Shqipërisë. 11 yjet holandeze, të cilët xhiruan seritë në Shqipëri, janë artistë të njohur, prezentatorë televizivë, aktorë, krijues, gazetarë, shkrimtarë, këngëtarë. Ata zbulojnë në çdo seri, me aventurat e tyre drithëruese, destinacione spektakolare të Shqipërisë për dymbëdhjetë javë rresht.
Në serinë finale të Wie is de Mol? (Cili është i infiltruari?) do të përcaktohet fituesi i sezonit 22 -të, por gjithashtu, do të demaskohet edhe i infiltruari, ai që gjatë gjithë serive shkakton dëme, ai që eleminon shokët me intrigat e tij, saboton partnerët, shkakton humbje për skuadrën, mbjell mosbesim dhe krijon situata të mistershme gjatë gjithë serive.
Seria e parë e sezonit 22 do të shfaqet më 1 janar 2022 në televizionin shtetëror holandez, NPO1. Çdo të shtunë deri më 13 mars 2022, publiku holandez do të jetë mbërthyer para ekranit, duke ndjekur lojrat e VIP-ave holandezë në sfondin magjepës të natyrës, kulturës dhe siteve mbresëlënëse shqiptare.Gjatë qëndrimit në Shqipëri të ekipit holandez janë fiksuar përmes fotografisë edhe destinacionet më mbresëlënëse nga vendi ynë me autor: AVROTROS, JOY HANSSON.