Trajneri i përfaqësueses shqiptare, Edi Reja, ka vendosur që të grumbullojë edhe sulmuesin Ernest Muçi si pjesë të skuadrës për ndeshjet e ardhshme të kuqezinjve ndaj Anglisë dhe Andorrës. Futbollist i ri ishte planifikuar të bëhej pjesë e ekipit U21 të Alban Bushit, por do të ndërrojë destinacion pasi të mbërrijë në vendin tonë. FSHF ka bërë të ditur se Muçi do të bashkohet me Kombëtaren A në ditët në vijim dhe se ai do të zëvendësohej në radhët e Shpresave.
‘Sulmuesi Ernest Muçi do të vihet në dispozicion të Kombëtares A që nga dita e nesërme për dy ndeshjet e Botërorit 2022.
Lojtari i Legias së Varshavës ishte në listën e Kombëtares U-21 për ndeshjet e Europianit ndaj Sllovenisë dhe Kosovës, por tashmë ai do të kalojë në urdhrat e trajnerit Reja.
Në vendin e tij në Kombëtaren U-21 është thirrur Eridon Qardaku, futbollist i cili aktivizohet me Bylisin e që ka qenë edhe më parë pjesë e skuadrës Shpresa. Qardaku është vënë menjëherë në dispozicion të ekipit U-21, që ka nisur tashmë përgatitjet për ndeshjet e EURO 2023 ndaj Sllovenisë dhe Kosovës më 12 dhe 16 nëntor’, shkruhej në njoftimin e FSHF.