Pavarësisht se Republika Çeke regjistroi një rekord të ri në numrin e rasteve të reja me koronavirus brenda një dite të shtunën, ajo vazhdon të jetë kundër çdo lloj mase izolimi.

Autoritetet shëndetësore regjistruan 22,936 raste të reja të shtunën, një numër record infeksionesh, duke e çuar shkallën e incidencës shtatëditore në vend për 100,000 njerëz në 929. Të premten, ky numër ishte 847.

Kryeministri Andrej Babis deklaroi dje se, vendi nuk është i përgatitur për vendosjen e një mase izolimi, pavarësisht numrit të lartë të rasteve. Kryeministri i ardhshëm Petr Fiala është shprehur gjithashtu kundër mbylljes së vendit.

Duke filluar nga e hëna, shumë biznese, si hotelet dhe restorantet, do të jenë të aksesueshme vetëm për njerëzit që mund të provojnë se janë vaksinuar ose shëruar nga virusi. Kabineti gjithashtu ka rritur kërkesat e testimit, me teste të detyrueshme javore për nxënësit dhe punonjësit në vendet e punës.

Deri më sot, vetëm rreth 6.2 milionë nga një popullsi prej 10.7 milionë banorësh në Republikën Çeke janë vaksinuar.