Holanda do të vendosë bllokimin e parë të pjesshëm në Europën Perëndimore duke filluar nga e shtuna për të frenuar përhapjen e një valë të re të covid-19. Nga nesër baret, restorantet dhe dyqanet do të mbyllen në orën 19:00 për të paktën tre javë, sipas NOS, duke cituar një burim qeveritar.
Punonjësit që kanë mundësi do të punojnë nga shtëpia dhe tifozët nuk do të lejohen në aktivitetet sportive. Shkollat, teatrot dhe kinematë do të qëndrojnë të hapura. Qeveria e kryeministrit në detyrë Mark Rutte do të marrë vendimin përfundimtar gjatë ditës së sotme dhe do të shpallë masat e reja gjatë një konference për shtyp në orën 20:00 .
Rastet me Covid-19 janë rritur ndjeshëm në vendin me 17.5 milionë banorësh që nga heqja e masave në fund të shtatorit. Vala e re e rasteve ka rritur presionin mbi spitalet në të gjithë vendin, duke i detyruar ata të pezullojnë shërbimet e tyre të tjera për t’u kujdesur për pacientët me Covid-19.
Një ekip ekspertësh që këshillojnë qeverinë holandeze për menaxhimin e pandemisë të enjten rekomanduan vendosjen e një bllokimi të pjesshëm dhe kufizimin e aksesit në vendet publike për personat që nuk janë plotësisht të vaksinuar ose që nuk janë infektuar me Covid-19.
Vendosja e një bllokimi të ri nënkupton një ndryshim drastik të politikës për qeverinë holandeze, e cila deri në tetor besonte se shkalla relativisht e lartë e vaksinimeve do ta lejonte lehtësimin e masave kufizuese deri në fund të vitit.