Në një kohë kur vetë demokratët janë të ndarë dhe të paqartë përballë dy Kuvendeve të PD, ai i 11 dhjetorit të thirrur nga Berisha dhe ai i 18 dhjetorit të thirrur nga Basha, në mbështetje të kryedemokratit duket se do të jenë anëtarët e kryesisë së Korçës. Deputeti Ervin Salinaji siguroi Bashën nga Korça se 100 % e anëtareve të Këshillit Kombëtar të zgjedhur dhe 83% e kryesive të degëve mbështesin Kuvendin e 18 Dhjetorit.
“100% e anëtarëve të kryesisë së Korçës janë në mbështetje të Kuvendit të 18 Dhjetorit. Edhe për degën e Maliqit është e njëjta situatë dhe çdo pretendim tjetër i rremë është diskredituar. Ju i shikoni njerëzit kur hyjnë dhe dalin. Përpjekja përbashkuese që po bën PD po gjen mbështetje për të mos lejuar që interesi personal të prevalojë. PD nuk del dot kundër SHBA-ve sepse partneriteti me ta është i domosdoshëm. Kuvendet nuk janë si dasmat që gjithsecili fton këdo, ka procedurë të caktuar. Kuvendet përcaktohen sipas një procedure të caktuar në zbatim të statutit. Kuvend ka vetëm në datën 18, mitingje kanë të gjitha partitë e tjera politike. Patën një mundësi për depozitimin e firmave nuk u bë dhe kryesia vendosi datën 18. Është e jashtëzakonshme mbështetja e strukturave drejtuese. Diskutimet vetëm mirë i bëjnë PD-së. Kur ka imponim me dhunë, partitë politike nuk kanë pronar”, tha Salianji.
Gjatë mbledhjes së djeshme të kryesisë së PD në Korçë, Salianji tha se nga ky Kuvend demokratët do të dalin më të bashkuar dhe do të fokusohen në qëllimin e vetëm të përbashkët që është Edi Rama. Çdo të ndodh me demokratë që do të mbështesin Kuvendin e 11 dhjetorit, të cilët Basha i paralajmëroi se nëse shkelin statutin rrezikojnë përjashtimin? Për Salianjin partia nuk përjashton asnjë dhe anëtarët do të vijojnë të mbeten në PD.