Juventus mposhti Lazion në Olimpico me rezultatin 0-2, teksa bardhezinjtë iu falën dy penalltive të shndërruara në gol nga ana e Leonardo Bonucit.

Por, nëse për penalltinë e dytë nuk kishte shumë polemika, ajo e para ndaj Moratës shkaktoi zhurmë me futbollistët e Lazios dhe trajnerin e bardhekaltërve Maurizio Sarri që protestuan gjatë.

Ky episod u kthye në temë diskutimi edhe pas ndeshjes për trajnerin Sarri, i cili nuk nguroi të fliste kundër bardhezinjve edhe pse dy sezone më parë ishte pjesë e torinezëve.

“Penalltia e parë ishte një gabim i VAR dhe të tilla raste akordohen vetëm në Itali.. shumë episode arbitrare nuk janë të qarta. Juventus fitoi me një penallti shumë të lehtë, pastaj u mbrojt dhe provoi vetëm me kundërsulm.

Por, nuk habitem. Kështu ata kanë fituar ndeshje dhe kampionate. Nuk më plas fare se çfarë mendojnë tifozët e Juventus, unë kam punuar atje, por nuk jam një prej tyre”, theksoi Sarri duke nxjerrë edhe njëherë në pah se dashuria mes bardhezinjve dhe tij nuk lindi asnjëherë.