Vaksinimi i detyrueshëm kundër Covid-19 në vendin e punës vazhdon të jetë një çështje e debatueshme në Shtetet e Bashkuara. Administrata e Presidentit Biden pritet të përgjigjet këtë javë ndaj një vendimi të fundit të gjykatës federale për të ndaluar përkohësisht zbatimin e rregullit federal të vaksinimit të detyrueshëm për punonjësit e kompanive të mëdha.
Në Shtetet e Bashkuara, po intensifikohet lufta mbi rregullat për vaksinimin e detyrueshëm kundër Covid-19 të punonjësve.
Shtëpia e Bardhë do t’i përgjigjet këtë javë një urdhri gjykate që ndalon përkohësisht zbatimin e një rregulli federal që e bën të detyrueshëm vaksinimin për bizneset me më shumë se 100 punonjës. Disa shtete, biznese dhe grupe fetare kanë ngritur padi kundër këtij rregulli, duke argumentuar se ai është jokushtetues.
Administrata e Presidentit Biden argumenton se rregulli është i nevojshëm.
“Ka raste kur ne e kuptojmë se vendimet tona kanë një efekt më të gjerë te njerëzit përreth nesh. Covid-19 na e ka kujtuar këtë. Për këtë arsye rregulli për vaksinim të detyrueshëm në vendet e punës do të jetë i dobishëm dhe një hap i domosdoshëm për të përshpejtuar rrugën tonë drejt mposhtjes së pandemisë”, tha Dr. Vivek Murthy, këshilltar i Shtëpisë së Bardhë për shëndetin publik.
Administrata e Presidentit Biden thotë se është përgjegjësi e qeverisë federale që të miratojë dhe zbatojë rregullat e sigurisë në vendin e punës. Por disa ligjvënës thonë se rregullat për Covid-19 i tejkalojnë kompetencat e qeverisë.
“Unë nuk mendoj se njerëzit duan që t’u hiqet e drejta e tyre për të marrë vendime mbi këtë çështje. Unë nuk mendoj se ata duan një precedent ku qeveria federale mund të ndërhyjë dhe thjesht t’ju detyrojë të bëni çfarë të dëshirojë”, tha guvernatori i Floridës, Ron DeSantis.
Me rritjen e numrit të njerëzve që regjistrohen çdo ditë për të marrë vaksinën, disa thonë se një betejë për rregullat federale për vaksinim të detyrueshëm, që do të hyjnë në fuqi në janar, mund të mos jetë e dobishme.
“Nga pikëpamja e politikave publike, ne duhet të pyesim veten se cili është qëllimi ynë? Ne kemi vaksinuar rreth 81% të personave mbi 18 vjeç. Ku duhet të arrijmë dhe çfarë çmimi jemi të gatshëm të paguajmë në lidhje me përçarjet kulturore dhe sfidat që sjellë kjo”, thotë Dr. Scott Gottlieb, ish-komisioner i Administratës së Ushqimit dhe Ilaçeve.
Ndërsa numri i rasteve të reja me Covid-19 vazhdon të bjerë në Shtetet e Bashkuara, rreth 70,000 infeksione të reja regjistrohen çdo ditë./ VOA