Dy sezonet e fundit nuk ka qenë ndër më të mirët e mundshëm për portierin e Kombëtares, Tomas Strakosha.

Vitin e kaluar, Simone Inzagi preferoi Reinën përpara gardianit kuqezi, ashtu si dhe Mauricio Sarri këtë sezon, i cili e ka aktivizuar Strakoshën vetëm në Ligën e Europës. Por gazeta britanike The Sun, ka zbuluar një prapaskenë merkatoje që mund të finalizohet me një transferim të Strakoshës në Angli.

Sheikët e Njukasëllit janë hedhur në sulm për të siguruar shërbimet e 26-vjeçarit që në janar, megjithëse kontrata me Lacion i skadon verën e ardhshme. Ideja e sheikëve është të firmosin një parakontratë me Strakoshën, që më pas Lacio ta lërë të lirë me një shumë të vogël, dhe të heqë dorë nga pretendimet e mëdha.

Kjo do të ishte një lëvizje e bujshme për gardianin e Kombëtares, pasi Njukasëlli po kërkon të vërë në jetë një projekt shumëmilionësh dhe së bashku me shqiptarin do të afroheshin dhe emra të njohur të futbollit europian.