Kryenegociatori i Shqipërisë për integrimin në BE, Ambasadori Zef Mazi, bëri një vizitë zyrtare në Slloveni. Kjo vizitë u zhvillua në kuadër të Presidencës të Bashkimit Evropian, që mbahet nga Sllovenia, dhe në prag të mbajtjes të disa mbledhjeve të rëndësishme të Këshillit Evropian. Presidenca sllovene përfundon mandatin e saj në fund të dhjetorit.

Gjatë kësaj vizitë Kryenegociatori u prit në takim nga Sekretari i Shtetit për Evropen, z. Gasper Dovzan, nga Sekretari i Shtetit për Çështjet e Përgjithëshme dhe Organizatat Ndërkombëtare, z. Stanislav Rascan, dhe nga Kryetarja e Komitetit të Politikës të Jashtme në Asamblenë Kombëtare të Sllovenisë, znj. Monika Gregorcic.

Kryenegociatori Mazi shprehu falenderimet e Qeverisë shqiptare për vëmëndjen e posaçme dhe mbështetjen e Sllovenisë ndaj procesit të zgjerimit dhe ndaj Shqipërisë në veçanti.

Mikpritësit slllovenë përgëzuan, në emër të Sllovenisë si Presidente e BE-së, por dhe në emër të të gjithë vendeve të BE-së, për progresin tashmë të vlerësuar të Shqipërisë. Kjo frymë unanime vlerësimi dhe mbështetje u konfirmua qartë në diskutimet në mbledhjet e fundit të Këshillit të Çështjeve të Përgjithëshme të BE-së. Presidenca sllovene ka shtyrë me forcë, dhe ka pasur mbështetje, për cuarjen përpara të zgjerimit, duke e mbajtur lart në rendin e ditës. Fokusi ka qene, dhe do të vazhdojë të jetë, mbajtja e Konferencës të parë ndërqeveritare. Kjo, me shpresën që të realizohet brenda kësaj presidence.

Në takim u diskutua për ngërcin që ende vazhdon i pazgjidhur midis Bullgarisë dhe Maqedonisë të Veriut. Zhvillimet e kohëve të fundit politike nuk japin shumë arsye për optimizëm, u nënvizua. Sllovenia, megjithatë, do të vazhdojë përpjekjet e saj, pa u ndalur, për të shtyrë procesin, që tëbëhen hapat e duhur përpara për të zgjidhur mosmarrëveshjet. U nënvizua gjithashtu se duhen rritur përpjekjet që palët të dialogojne deri në gjetjen e konsensusit. Presidenca sllovene mendon se ka ende shpresë që gjatë tre javëve të ardhëshme të rriten përpjekjet, të flitet me të gjitha palët, në të gjithë nivelet, që të mund të arrihet një zgjidhje e dëshiruar nga të gjithë.

Ambasadori Mazi bëri një pasqyrë të gjithë zhvillimeve dhe arritjeve të Shqipërisë në plan të gjërë në të gjitha fushat. Ato tashmë janë të konfirmuara edhe institucionalisht në Raportin e Progresit te Komisionit Evorpian Shqipëria 2021. Ai shprehu shqetësimin dhe keqardhjen që Shqipëria është zënë peng, e mbetur si pjesë e këtij konflikti dypalësh. Shqipëria po pëson një dëm kolateral, edhe pse nuk ka asnjë lidhje me këtë situatë. Ambasadori kërkoi që Presidenca sllovene dhe vetë BE duhet të gjejnë forcën, në situatën aktuale, ta shikojnë çështjen strategjikisht, të diskutojë dhe të vendosin që të shtyjnë procesin përpara. Në një formë apo një tjetër, nëse kjo mosmarrëveshje vazhdon për kohë të gjatë dhe të papërcaktuar, procesi i zgjerimit duhet të vazhdojë. Shqipëria nuk ka arsye përse duhet të lihet të presë. Kjo meritë duhet të shperblehet. Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kërkesat. Procesi i integrimit duhet të të vijojë. Nuk duhet të lejohet më tutje që kredibiliteti i BE-së të vihet në pikëpyetje. Shqipëria, me meritë, që është mantra e zgjerimit e BE-së, është gati për fillimin teknik të negociatave, për t’u ulur në tryezën e Konferencës të parë ndërqeveritare.

Paqartësia e momentit nuk duhet të ndalojë procesin, dhe për të shmangur këtë ngërc duhet të bihet dakord që zgjidhja alternative duhet të fillojë të diskutohet midis shteteve anëtare të BE-së.

Mikpritësit sllovenë, me bindjen se procesi i zgjerimit është thelbësor për të ardhmen e BE-se, nënvizuan se zgjerimi do vazhdojë të jetë në fokusin e tyre. Ata do vijojnë të mbajnë kontakte intensive deri në fund të presidences sllovene edhe pas saj.