Edhe pse në të gjithë botën është vënë alarmi nga përhapja e variantit të ri Omikron të koronavirusit, Instituti i Lartë i Shëndetit në Itali këshillon të mos përhapet panik. Mediat italiane citojnë kreun e këtij instituti, Xhuzepe Remuci i cili thotë se deri më tani nuk ka asnjë të dhënë që të faktojë se infektimi me Omikron është më i rëndë se variantet që kanë qarkulluar deri më tani, apo nëse ky variant qarkullon më shpejt.
Po ashtu, kryevirologu afrikanojugor Shabir Madi shprehet se të dhënat shkencore të analizave që po kryn prej 11 Nëntorit në vendin e origjinës së Omikronit, tregojnë se me shumë gjasa ky variant nuk do të dijë të kapërcejë mbrojtjen e vaksinave të deritanishme.
Edhe presidenti amerikan Joe Biden tha se nuk është momenti për të rikthyer bllokadën në shkallë kombëtare, por kërkoi vigjilencë nga varianti i ri që mund të jetë shumë herë më agresiv se të mëparshmit. OBSH e kategorizoi Omikronin në nivelin më të lartë të rrezikut, pasi ky variant ka numrin më të lartë të mutacioneve në proteinën Spajk dhe ka dyfishin e Deltës, që deri më tani njihet si varianti i koronavirusit që përhapet më shpejt. Ndaj ekspertët e OBSH rekomanduan shtimin e masave parandaluese kundër përhapjes së Omikronit.