Stuhi me erëra të fuqishme përfshinë sot pjesën veriperëndimore të Turqisë, duke prekur qytetet e mëdha, si Stambolli, Izmiri, Bursa, Balıkesiri dhe Çanakale, ku edhe u shkaktuan dëme të ndryshme.

“Katër persona, përfshirë një shtetas të huaj, humbën jetën, kurse 19 bashkëqytetarë u plagosën, përfshirë tre në gjendje të rëndë”, tha në një deklaratë guvernatori i Stambollit, duke cituar një raport të hartuar nga agjencia qeveritare për menaxhimin e fatkeqësive natyrore (Afad).

Erërat u intensifikuan veçanërisht në Stamboll, ku u regjistruan edhe aksidente të ndryshme.

Një kullë sahati në Stamboll është shkatërruar plotësisht nga stuhia.

Gjithashut, në qytet u regjistruan edhe disa dëme të tjera, si çati të rëna, pemë të shkulura, si edhe u anulua lëvizja e trageteve për shkak të stuhisë.

Shpejtësia e erës arriti deri në 129 kilometra në orë.

Në një incident tjetër, të paktën tre persona u lënduan në rrethin Bağcılar të Stambollit. Të lënduarit u dërguan në spitalet në afërsi.

Erërat e fuqishme shkaktuan dallgë të mëdha në rajonet bregdetare, ndërsa në një incident tjetër, pamjet amatore shfaqin rrëzimin e kamionëve.

Gjashtë avionë të linjës Turkish Airlines (THY), që nuk mundën të uleshin për shkak të stuhisë së erës në Stamboll, u orientuan drejt aeroporteve të tjera.