Mero Baze

Më premtoi se do të bënte ciceronin duke më treguar shtëpinë e Kadareve, të rikonstruktuar në Gjirokastër në vitin 2016.

-Duhet të kesh pak frikë I thashë, se unë mund ti shkruaj ato që më thua dhe do të gjej belaja…

-Është pak e rrezikshme, tha duke buzëqeshur, por do ta përballojmë.

Rreziku ishte, se ajo është shtëpia më e përshkruar në botë, nga një shkrimtar gjenial. Dhe është më keq se kaq. Ajo nuk është shtëpi e ndërtuar nga tre ustallarë siç na shpjegonte restauratori, por shtëpi e “ndërtuar” nga truri I një shkrimtari të madh, për gjithë lexuesit e botës. E ritreguar për mua dhe miqtë tanë nga Shahini, si një shtëpi e Kadareve, natyrisht që ishte një guxim I madh. Është diferenca mes hyjnores dhe tokësores, është dallimi mes atij që ke fjetur me shtëpinë e tij në kokë dhe atij që ka jetuar në atë shtëpi.

Restauratori Agron Doraci që kishte rikonstruktuar shtëpinë ishte përpjekur për të ringjallur çdo detaj të saj. Dhe po më tregonte dhomën frigoriferike të shtëpisë, një kthinë e ulët e ftohtë poshtë nivelit të “sterrës”, depos së ujit të shtëpisë që I siguronte freskinë.

-Këtë mos e shkruaj më tha Shahini se do ta fusësh në sherr me Agronin.

Në fakt në shtëpinë e Kadareve, e dëmtuar pjesërisht nga lufta italo greke ajo kthinë ka qenë tek pjesa e shembur, që Ismaili e ka përshkruar si vendi ku e fusnin si fëmijë për ta ndëshkuar kur bënte gabime.

Dhe Shahini me humorin e tij të hidhur, më tha:

-Ec e mbushi mendjen miletit tani, që kjo ka qenë dhomë frigoriferike. Kot është munduar Agroni. Më mirë ta kishte bërë si e ka përshkruar Ismaili.

Kështu përmes humorit të tij, cinizmit të një intelektuali të arrirë dhe fatit shumë sfidues si vëllai I Ismail Kadaresë, Shahini ishte I vetmi nga kadaretë që I bashkonte të gjithë duke e ngjizur atë si një familje të madhe.

Pakti I tij I madh me Helenën, për të menaxhuar raportet njerëzore si një familje bashkuar, duke shmangur peshën e rënd të Ismailit që mund të kriste gjithçka, është një nga ato vlera të rralla, që mund ti kenë vetëm njerëz që arrijnë të provojnë se të kesh një gjeni në familje nuk është rastësi. Fuqia për ta detyruar Ismail Kadarenë bëhej pjesë e familjes si një pjesëtar I bindur I saj, është fuqi vlerash. Dhe këtë fuqi e kishte Shahini, gruaja e tij Lana, dhe Helena.

***

Për herë të parë më është dashur ti drejtohesha si mjek, kur një nga miqtë e mi të ngusht u prek nga tumori në mushkëri vite më parë. Mes panikut tim dhe traumës që kisha pësuar nga lajmi dhe nevojës për të bërë diçka urgjente , Shahini ishte si një bekim.

Na rekomandoi një profesor të njohur në një Institut onkologjik në Aviano të Italisë, dhe pastaj me qetësi na shpjegoi gjithë rreziqet e sëmundjes. Pasatj filloi të na flas për shpenzimet e mundshme deri në qindarka. Më tej për hotelin ku mund të flinim, restorantin ku mund të hanim. Pastaj mënyrën se si mund të blinim ilaçin…Në ato momente kur ti ishe nën peshën e panikut të sëmundjes, ai me qetësinë e tij, të dukej si I dërguar nga Zoti për të të shpëtuar.

Dhe kjo mu përsërit disa here më pas në me pacientë të tjerë të cilët edhe pse dikush ishte I rëndësishëm dhe tjetri një njeri fare I zakonshëm, përballeshin me të njëjtin respekt dhe përkushtim prej tij.

Përkushtimi që ai kishte ndaj laboratorit të tij, aftësia për të të dhënë një përgjigje paraprake për shkallën e rrezikshmërisë, ndërkohë që pacienti ishte në sallë të operacionit, pastaj shpjegimi I tij deri në lodhje, për nevojën e analizave të thelluara që ai I dërgonte në Itali, ishin një terapi më vete jo vetëm klinike, por dhe psikologjike. Por ti e kuptoje fuqinë e tij si mjek, kur përballeshe me kolegët e tij italianë, që ishin mjek të

shquar në botë, dhe të prisnin me të njëjtin përkushtim, kur shkoje I rekomanduar prej tij.

***

Të shtunën e 30 Marsit 1991, një ditë para zgjedhjeve të para pluraliste, kur I kishin dhënë dorën e fundit përgatitjeve të ditës së votimit, Prec Zogaj ishin takuar me Shahinin që po ashtu ndjehej I lehtësuar nga përfundimi I fushatës së pare të zhurmshme dhe pa përvojë për demokracinë shqiptare.

-Tani besoj ua kemi mbushur mendjen për të na votuar,- tha Shahini. Puna është se vet nuk e dimë për kë të votojmë.

Humori I tij I hidhur buronte nga dyshimet e mëdha që kishte për atë që po bënin dhe ashtu si po e bënin. Dhe ia u bë ndër zërat e pare të mëdhenj kritik brenda PD qysh në fillimet e saj për deformimet që po shfaqeshin në kulturën demokratike të asaj partie, derisa u largua prej saj në gusht të vitit 1992, për të mos u kthyer më.

Por ai mbeti deri në fund një lexues I madh I politikës shqiptare, një sqimatarë I rrallë I vlerave të saj, dhe një përbuzës I madh I deformimeve të saj.

Kur PD sapo kishte fituar pushtetin në vitin 1992, Shahini ishte ende mjek në spital dhe nuk ishte përfshirë në poste politike. Në një nga ato mbledhjet e para në selinë qendrore, dikush filloi ta kritikojë se “fliste lart e poshtë në spital dhe kundër Doktorit”.

Berisha ishte vënë në siklet nga skena thuajse banale e “denoncuesit” të Shahinit, dhe u përpoq që Shahini të mos reagonte, duke I treguar me gjeste se është diçka banale.

-Jo prit,- tha Shahini. Se kjo më ka hequr një dilemë të madhe në jetë. Kishim kaq kohë që diskutonim me shok e miq, çfarë talenti kishte ky njeri që u bë ministër. Nuk e kuptonim dot se çfarë aftësish të veçanta kishte. Tani e kuptova. Me këtë denoncimin ndaj meje, e ka merituar atë post.

Ishte një shuplakë jo thjeshtë për një njeri mediokër që ishte ngritur në detyrë deri ministër, por për sistemin e vlerave që e kishte përzgjedhur atë.

***

Kishte ndodhur një histori me të cilën bëja humor të zi me Shahinin. Fillimisht kishte planifikuar një drek me Ismailin pas vitit të ri. E kishte planifikuar në detaje. Një ditë para drekës unë humba babain dhe na u desh ta shtynim drekën derisa ta harronim ngjarjen.

Pas dy muajsh, e lame të takoheshim në kafe dhe të diskutonim për drekën.

Kishte një kollë të pazakontë dhe si shumica e njerëzve dyshuam për covid.

-Do ta shtyjmë dhe këtë radhë drekën më tha, se mund të jem me covid. Shkoi të vizitohej por në fakt ishte më keq.

U prish dhe dreka e dytë.

-Tani nuk do lëmë më drek,- I thash, se po më vjen radha mua…Le ta lërë Helena drekën.

Helena na bashkoi tek Hotel Flowers në Golem, në fund të verës. Shahini kishte ndenjur për muaj të tërë nën terapi dhe ishte tretur nga beteja me sëmundjen. U ula në krah të tij për të kuptuar si ndihej. Qetësia me të cilën më fliste për sëmundjen dhe betejën me të, më bindi se ai dhe veten e tij e trajtonte njësoj si pacientët e tjerë që i kisha çuar.

Ismaili ishte më I heshtur se çdo herë në atë drek dhe thuajse nuk merrte pjesë në bisedë. Për një moment mu duk sikur nuk donte as ta shikonte, ashtu të zvogëluar dhe ndryshuar prej sëmundjes, si një refuzim për ta pranuar se çfarë po ndodhte . Dhe ky ishte I vetmi përfytyrim që unë kisha për mënyrën se si ai mund të dëshpërohej për vëllain në heshtje dhe ta donte atë.

Pas drekës, duke e përcjellë tek deri tek shkallët e shtëpisë së re të djalit, që i gëzohej pa fund, më dha fjalën se do takoheshim përsëri sa më shpejt ndoshta në kafe në Tiranw me Remziun. Nuk u takuam dot më, deri sot herët në mëngjes, kur gruaja e tij më tha se ai iku. Dhe unë në fakt nuk çohesha dot të shkruaja.