Gjykata e Posaccme Kundër Krimit dhe Korrupsionit ka rrëzuar kallëzimin e Presidentit të Republikës për ish-kreun e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani.

Gjykata ka pranuar kërkesën e SPAK, i cili pas hetimeve që zhvilloi kërkoi pushim akuze e mbyllje të çështjes. Ardian Dvorani, i cili sot gjyqtar i Gjykatës së Apelit Administrativ të Tiranës, komentoi edhe deklaratat e Metës së fundmi. Ai tha se koha e gjyqeve publike ka mbaruar.

“Në respekt të misionit tuaj si media unë ndalova para mikrofonëve tuaj por dua të kërtkoj mirëkuptimin tuaj që unë të mos bëj asnjë koment. Të presim vendimin e argumentuar të Gjykatës së Posaçme. Unë s’kam përplasje me ansjë institucion. Unë thjesht bëj detyrën, jam gjyqtar. Kush mendon se ka përplasje e ka me veten, unë s’kam më askënd. Është e drejtë e z. Meta të kenë mendimin e tij. Janë institucionet ato që vendosin përfundimisht. Koha e gjyqeve publike ka marrë, çështjet nuk vendosen në media por këtu”, tha Dvorani.

Gjykata ka pushuar edhe kallëzimin e Metës ndaj ish-ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj.

Ndërkohë që përfaqësuesi ligjor i Presidencës, Bledar Dërvishaj, tha se po presin vendimin e argumentuar dhe do të bëjnë ankim në Apelin e GJKKO.

Në shkurt të vitit 2019 Presidenti Ilir Meta firmosi kallëzimin penal kundër kryetarit të atëhershëm të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani, pasi e akuzonte për “shpërdorim detyre” dhe “përvetësimi i titullit apo i detyrës shtetërore”.

Presidenti Ilir Meta e ka akuzuar Dvoranin si ushtar të partisë, sulme që nisën gjatë procesit të përzgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese nga Presidenti dhe Parlamenti në bazë të listave me kandidatë të radhitur përmes një sistemi pikëzimi nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Krizë që ka çuar në zgjedhjen e dy gjyqtareve Kushtetuese për të njëjtin pozicion të lirë.

Presidenti e kallëzoi në tre prokurori kreun e KED-së për procesin e zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Meta thoshte se Dvorani qëllimisht dërgoi në të njëjtin ditë tek presidenti dhe Kuvendi dy lista njëherazi për dy vakanca, ndërkohë që Kushtetuta thotë se duhet ndjekur radha e zgjedhjes së anëtarëve, President-Kuvend-Gjykatë e Lartë. Meta thotë se kjo u bë qëllimisht nga kreu i KED, duke “detyruar” presidentin të mos respektojë afatin 30 ditor. Presidenti thotë se Dvorani ka shpërdoruar detyrën duke marrë një vendim individual duke zgjedhur automatikisht Arta Vorpsin, vendim që e publikoi vendimin në Fletoren Zyrtare.