Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu në një degjësë në Komisionin e Shëndetësisë në Kuvend në lidhje me masat e marra për fillimin e vitit të ri shkollor tha se mbi 42 mijë të rinj të moshave 18-24 vjeç janë vaksinuar me të dyja dozat e vaksinës.
“Përsa i përket të dhënave përsa i përket grupmoshës 18 deri 24 vjeç me një dozë janë vaksinuar mbi 62 mijë individë të kësaj grupmoshe. Dua ta theksoj se ne kemi filluar vaksinimin e grupmoshës +18 vjeç në javën e fundit të muajit korrik ku ka filluar dhe vaksinimi i hapur për gjithë grupmoshat dhe nuk e kemi ndalur deri më sot ku ne kemi një vaksinim të hapur. Ndërkohë që me dy doza sa i përket vaksinimit 18-24 janë vaksinuar 42,152 të rinj”
Duke folur për vaksinimin e studentëve Manastirliu tha: “Sa i përket studentëve, me dozë të parë janë 8 mijë studentë, ndërsa më dozë të dytë janë 4 mijë studentë. Grupmosha 18-24 e kemi specifikuar edhe njëherë janë vaksinuar mbi 62 mijë me dozën e parë, por përsa i përket përpjekjes që ne kemi bërë për vaksinimin e studentëve që nga momenti që janë hapur universitetet kjo ka rezultuar pra rreth 8 mijë studentë të vaksinuar me një dozë”.
Prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 1,909,861 doza të vaksinës ndaj COVID19. Prej tyre 891,707 qytetarë i kanë kryer të dy dozat e vaksinës antiCOVID.