Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj i bëri thirrje deputetëve të opozitës të mos i bllokojnë projektet dhe punët e Bashkisë së Tiranës për zhvillimin e qytetit, siç bënë me Astirin dhe Bregun e Lumit.
“Koha kur deputetët merren me punët lokale duhet të marrë fund. Bllokimi Astirit, bllokimi i Pazarit, bllokimi i Liqenit, bllokimi Kalasë, bllokimi Bregut të Lumit, Bulevardi i Ri – pyesni çunin e Fahriut, që s’e keni më mes jush. Shikojeni sheshin “Shqiponja” sot, shikojeni Astirin sot, që puna po bëhet dhe që trafiku është liruar aty, kjo nuk diskutohet fare. Pyetja është: tre vitet që humbëm me bllokimet tuaja, kush na i kthen pas?! Nëse doni të nisni procese ligjore, shkoni në gjykatë, por djegia e gomave nuk është proces ligjor. Unë shpronësimet te Bulevardi i Ri i kam bërë me VKM e Sali Berishës sepse mendoj se ishte një VKM që adresonte edhe të palegalizuarit, edhe të legalizuarit me hipotekë. E kam zbatuar një më një, për të 500 ato familje. Sikur politika e madhe të mos merrej me politikën komunale, do ishte shumë më kollaj që ne të ecnim përpara me këto projekte”, tha Veliaj.