Man.United po përjeton makthe në këtë fillim sezoni. “Djajtë e kuq”, një skuadër e projektuar për titull, tashmë e shohin kreun 12 pikë larg, duke vënë në pikëpyetje të madhe të gjithë projektin e klubit. Nuk ka asnjë efekt as “kura” C.Ronaldo, “djajtë” bien keq në transfertë përballë Watford duke pësuar një humbje të rëndë në shifrat 4-1.
Vendasit i dhuruan një leksion futbolli, fillimisht humbën një 11-metërsh ndërsa brenda pjesës së parë shënua dy herë në portën e De Geas. Në fraksionin e dytë Van de Beek ngushtoi shifrat në minutën e 50-të por vetëm kaq pasi dy kartonë të verdhë brenda pak minutash bënë që United të mbetej me një lojtar më pak pas daljes me karton të kuq të Maguire. Në shtesë, Watford realizoi dhe dy gola të tjera duke kompletuar “pokerin”, një humbje e rëndë kjo për United që trazon edhe një herë ambientin rreth trajnerit Solskajer.