Turneu i presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan në Angola, Togo dhe Nigeri muajin e kaluar tërhoqi mjaft vëmendje në shumë aspekte. Turneu përfundoi vetëm disa ditë përpara se Ankaraja të priste Forumin e tretë mbi Biznesin dhe Ekonominë Turko-Afrikane dhe Samitin e tretë të Partneritetit Turko-Afrikan.
Erdogan synonte të forconte bashkëpunimin midis Ankarasë dhe këtyre tre vendeve në çështjet politike, ekonomike dhe ato të sigurisë, në një shprehje të qartë të politikës së vazhdueshme të Turqisë për hapje ndaj partneritetit të barabartë me kontinentin afrikan. Turqit janë proaktivë për sa i përket bashkëpunimit në aspektin e ndihmës humanitare. Retoriken e tyre e përqendrojnë në nevojën për të hequr qafe mbetjet e politikave koloniale, e në vend të saj të zhvillojnë partneritete, integrim dhe politika të përfitimit reciprok.
Gjatë dy dekadave të fundit, Ankaraja ka rritur gradualisht, por në mënyrë të dukshme, ndikimin e saj në Afrikë, duke rritur praninë e saj diplomatike nga 12 ambasada në 2003 në 42 këtë vit. Kjo u shoqërua me një rritje të vëllimit të investimeve direkte të Turqisë në shume vende në të gjithë kontinentin nga 100 milionë dollarë në rreth 6.5 miliardë dollarë. Ndërkohë që vëllimi i tregtisë është rritur më shumë se pesëfish. Për më tepër, Turkish Airlines tani fluturon në 51 qytete afrikane. Nga të gjithë udhëheqësit kombëtarë, Erdogan ndoshta ka vizituar më shumë vende afrikane se kushdo tjetër, me 46 vizita në 30 shtete afrikane.
Forcimi i marrëdhënieve të Turqisë me Afrikën filloi kur ajo (Turqia) u emërua anëtare vëzhguese e Bashkimit Afrikan në 2005, dhe më pas si partner strategjik në 2008. Pesë vjet më vonë, Ankaraja nisi një politikë partneriteti me Afrikën, Ndonëse fokusi i Turqisë në këto marrëdhënie fillimisht ishin në nivel humanitar, diplomatik dhe ekonomik, në ekuacion ka hyrë një element shtesë: bashkëpunimi në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
Pajisjet ushtarake turke po fitojnë popullaritet në Afrikë, Azi dhe Evropë. Mjetet e blinduara dhe dronët sulmues janë në krye të agjendës kur bëhet fjalë për diskutimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes midis Turqisë dhe vendeve të Afrikës. Bashkëpunimi në fushën e sigurisë në drejtim të luftimit të terrorizmit dhe ekstremizmit ka përfitime nga përvoja e Turqisë në këtë fushë. Gjatë vizitës së fundit të Erdoganit në Angola dhe Nigeri, u diskutua për shitjen e dronëve Bayraktar (TB2), të cilët kanë qenë të sukseshëm në Siri, Libi dhe Azerbajxhan.
Ankaraja ua ka shitur këta drone të avancuar trembëdhjetë vendeve, duke përfshirë Ukrainën dhe Poloninë anëtare të NATO-s. Si një aleat strategjik, Katari ishte një nga vendet e para që mori dronët TB2 nga Turqia. Në Afrikë kuptohet që i kanë vende si Tunizia, Maroku dhe Libia. Disa raporte sugjerojnë se Etiopia tashmë ka marrë në dorëzim një numër të kufizuar dronësh turq. Ndërkohë që janë diskutuar porositë e blerjeve nga vende të tjera afrikane.
Hapja shumëdimensionale e Turqisë ndaj kontinentit afrikan tregon se Ankaraja ka filluar të balancojë fuqinë e saj të butë dhe të fortë atje. Prania e saj ushtarake në Somali dhe Libi, përveç përfshirjes në rritje të industrive të saj të mbrojtjes në Afrikë, është një tregues i kësaj. Megjithatë, hapja politike, diplomatike, ekonomike dhe ushtarake e Turqisë ndaj Afrikës nuk i përshtatet agjendave të fuqive globale, veçanërisht atyre perëndimore që e kanë konsideruar gjithmonë kontinentin afrikan si oborrin e tyre.
Prandaj, interesi francez për aktivitetet e Turqisë në Afrikë pasqyron përpjekjet e Perëndimit për të minuar hapjen e Ankarasë ndaj kontinentit. Parisi është një fuqi në rënie ndërkombëtarisht dhe po humbet ndikimin e vet tradicional në Afrikë. Arroganca franceze dhe kolonializmi kulturor, përveç historisë së përgjakshme, pengojnë ruajtjen e trashëgimisë së saj koloniale pafundësisht, në një kohë kur turqit nuk janë të rënduar nga konsiderata të tilla.
Gjatë dy dekadave të fundit, politika e hapjes dhe partneritetit të Turqisë me Afrikën e ka rritur peshën e saj diplomatike dhe ekonomike dhe marrë vrull si një fuqi në rritje. Përqendrimi në diplomacinë humanitare ishte një pikë hyrëse e rëndësishme e Ankarasë në Afrikë, e cila duhet të ruhet dhe forcohet gjatë fazës tjetër. Megjithatë, është partneriteti i sigurisë ai që, nëse do të ketë sukses, do të jetë aspekti më i spikatur në konsolidimin e themeleve të këtij partneriteti në terma afatgjatë dhe zgjerimin e ndjeshëm të bashkëpunimit ekonomik.
Strategjia e Turqisë në politikën e saj të jashtme gjatë dy dekadave të fundit nuk do të kishte sukses pa vullnetin politik dhe stabilitetin në aspektin shoqëror dhe atë të sigurisë, si dhe një ekonomi të fortë vendase. Nëse këta faktorë dobësohen në ndonjë mënyrë, ajo mund të mos jetë në gjendje të vazhdojë me strategjinë e saj në terma afatmesëm dhe afatgjatë. Megjithatë, për momentin, ylli i Turqisë është në ngritje në Afrikë.
Middle East Monitor-Tesheshi