Nga 1 Nëntori hyri në fuqi udhëzimi për qytetarët mbi 60 vjeç për t’u vaksinuar me dozën e tretë të vaksinës për ata që kanë aplikuar dy dozat e para. Por ka patur një dyzim mes qytetarëve nëse do të mund të përdoret kombinim i vaksinave të ndryshme për dozën e tretë. Zv/ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, në një lidhje për Klan Neës, ka sqaruar udhëzimin për dozën e tretë.
Sipas saj, do të përdoret e njëjta vaksinë për të bërë dozën e tretë, sikurse është përdorur edhe në dy dozat e para. I vetmi rast kur për dozën e tretë mund të përdoret vaksinë e ndryshme nga dy të parat, është kur qytetari ka patur reaksione apo efekte anësore të rënda nga dy dozat e para të vaksinës. “Vaksina do të vazhdojë të merret e njëjta lloj vaksine. Ai që ka marrë doza Sinovac do bëjë të tretën Sinovac, ai që ka marrë dy doza Pfizer do vazhdojë të bëjë të tretën Pfizer, ai që ka bërë dy doza AstraZeneca, do vazhdojë të bëjë të tretën AstraZeneca. Kombinimi është vetëm për ato raste që kanë pasur efekte anësore të rëndësishme, diskutohet bërja ose jo e vaksinës tjetër. Ky është udhëzimi që ka dhënë Komiteti i Ekspertëve të Vaksinimit”, deklaroi zv/ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli.