Polemikat mes Presidentit të Republikës Ilir Meta dhe kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha shënuan të shtunën një zhvillim të ri, kur zëdhënësi i Presidentit Tedi Blushi deklaroi se kryetari kukull, me porosi të padronit u përpoq të provokojë Presidentin me idenë për të shfajësuar vetveten nga të gjitha greminat drejt të cilave e çoi opozitën nga 17 maj 2017 deri më 25 prill 2021.
Presidenti Meta edhe njëherë tjetër ka vendosur t’i përgjigjet kreut të demokratëve përmes zëdhënësit të tij, duke theksuar se Basha është kontribuesi kryesor i Rilindjes, me katërkëndëshin e përgjegjësive të tij madhore; siç janë: Bojkoti i reformës administrative-territoriale; bojkoti i reformës në drejtësi; djegia e mandateve të deputetëve dhe zerimi i opozitës në pushtetin vendor.
Sipas zëdhënësit të Presidentit këto bojkote sollën kapjen totale të shtetit, ndërsa thekson se Basha tashmë është i vendosur të bojkotojë edhe Kuvendin e demokratëve nga pamundësia e ballafaqimit me ta dhe për këtë arsye ai kërkon shpëtim sipas tij duke kërkuar në mënyrë të mjerë të spostojë vëmendjen nga një tjetër krizë shumë e rëndë, ku e ka zhytur sërish opozitën.
“Hipokriti, që gjoja do përmbyste me dhunë regjimin në mitingun e 8 qershorit 2019, iu lut në gjunjë dhe me lot në sy Presidentit Meta, në Gjermani, për t’i anuluar zgjedhjet vendore se nuk i kontrollonte dot më njerëzit dhe se mund të kishte gjakderdhje”, shkruan zëdhënësi i Metës, Tedi Blushi.
Ai thekson se Presidenti Meta në vlerësim të interesit publik dhe për të shmangur çdo përplasje, mori një vendim shumë të vështirë, për shfuqizimin e datës dhe për t’i dhënë mundësinë opozitës të përfshihej në një datë tjetër.
“Por Hipokriti, që paska qenë në krah të Presidentit të Republikës, as nuk denjoi të regjistrojë PD në KQZ për zgjedhjet e 13 tetorit 2019, sepse kështu i interesonte Rilindjes, për t’i thënë botës, që Presidenti ia fut kot se PD nuk do zgjedhje. Kryetari, kukull ka qenë, është dhe do të mbetet i tillë, deri në fund, dhe asnjë spërdredhje, pazar apo mashtrim nuk ja ndryshon dot fundin e paracaktuar si çdo kukulle në politikë”, shkruan ai.
Ky reagim i Presidentit, vjen pas një interviste të dhënë nga kreu i demokratëve për Zërin e Amerikës, i cili tha se në trekëndëshin e Bermudës nuk ka qenë i përfshirë institucioni i Presidentit të Republikës, por personi Ilir Meta.
“Ka qenë Ilir Meta pjesë, personi Ilir Meta, i cili nëse më pyesni, dy javët e fundit të fushatës ka qenë aseti më i madh i Edi Ramës, shkatërruesi i fushatës në bindjen time, të LSI-së në veçanti në disa zona elektorale nga Vlora në Elbasan dhe në veçanti në javët e fundit me qëndrimet e tij, ka çuar ujë tek mulliri i Edi Ramës”, tha Basha.
Ai tha se kur përmendi trekëndëshin e Bermudës, përmendi personin Ilir Meta, politikanin Ilir Meta dhe jo institucionin e presidentit.
“Kalërimi i kulturës së linçimit, gënjeshtrave, spekulimeve të ndodhura këto dy muaj është gjëja më e thjeshtë, por edhe unë jam i qartë, i vendosur dhe më i fortë se kurrë nga forca e demokratëve për të qëndruar përballë çdo trekëndëshi dhe çdo kombinimi interesash personale të një grushti sado të fuqishëm por të vogël njerëzish që sot qëndrojnë përballë shumicës së shqiptarëve. Ne do t’i japim zë shumicës së shqiptarëve, ne do ta çlirojmë shumicën e shqiptarëve nga interesat personale, nga frika dhe hallet personale që mbajnë peng Shqipërinë dhe zhvillimin e saj demokratik dhe perëndimor”, tha Basha.