Nga Danjela Maloku/

Ndonëse ndërtimi i tij ka qenë objekt i sulmeve të opozitës, pas një jave, stadiumi ‘Air Albania’ do të jetë mikpritesi i delegatëve që do t’i bashkohen Kuvendit të Sali Berishës. Deri më tani, janë në total rreth 2500 delegatë nga thuajse gjysma e degëve të PD që do t’i bashkohen 11 dhjetorit, emrat e të cilëve janë bërë publikë.

Të dielën, emrat i lexuan nga selia blu dega 2, Kamëz dhe Dajt, ndërsa nga selia e degës edhe 5 bashkitë e Qarkut Berat.

“Demokratët me Lulzim Bashën nuk mund të vijnë kurrë në pushtet. 11 dhjetori është festë e PD-së, sepse çdo delegat ka firmosur me vullnet të plotë. Delegatët e kanë kërkuar vetë mbledhjen e Kuvendit të 11 dhjetorit”, kanë thënë ndër të tjera përfaqësuesit e autorizuar për të lexuar emrat.

Verifikimi i mandateve të delegatëve, do të bëhen ditën e Kuvendit, ndërsa firmëtarët janë pajisur edhe me një kartë, e cila do të këtë edhe një barkod sigurie. Kartat përmbajnë emër, atësi, mbiemër dhe postin në organigramën e degës së qytetit përkatës. Delegati paraqet ID për konfirmim dhe çdo kartë është elektronike, e pajisur me barcodin identifikues.

Në kuvendin e 11 dhjetorit, pritet të jenë edhe ish figura të Partisë Demokratike ndër vite, të cilët mund të mbajnë edhe fjalën e tyre.

Deri më tani, zyrtarisht nuk është prezantuar asnjë platformë me ndryshime statutore, por ish kreu i PD dhe një grup juristësh që e kanë mbështetur pritet të propozojnë, e nëse kanë kuorumin edhe të miratojnë disa ndryshime si të ashtëquajturin prej Berishës neni ‘Basha’, që detyron kryetarin të dorëhiqet në rast se humb zgjedhjet e përgjithshme, të drejtën për referendum brenda partisë apo lejimin e fraksioneve.

Edhe pse pretendohet një kuvend i thirrur nga demokratët dhe për demokratët, Lulzim Basha duket se do të jetë epiqendra e 11 dhjetorit, pasi do të merren në analizë qëndrimet dhe aktet e tij si kryetar, nga ajo që organizatorët e quajnë ‘parime themelore të PD’, ç’ka mund të pasohet në një mocion mosbesimi për shkarkimin e tij.

E për të bërë këtë, Kuvendi do të duhet të thërrasë referendum të më shumë se 76 mijë anëtarëve që ka kjo forcë politike, të cilët do të votojnë për propozimet e 11 dhjetorit.

Në rend të ditës, ka edhe përcaktimin e aksionit opozitar të udhëhequr prej Sali Berishës, por duket se këtë pikë ky i fundit e ka paracaktuar, pasi në turin e foltoreve ka bërë thirrje për nisjen e stinës së protestave. (Shqiptarja.com)

TABELA, DEGËT DHE SHIFRAT E DELEGATËVE TË PUBLIKUAR DERI TANI: