Ish-presidenti i Finlandës dhe fituesi i Çmimit Nobel për Paqe, Martti Ahtisaari është shtruar në spital pasi rezultoi pozitiv me COVID-19, madje për herë të dytë brenda vitit.

Ish-ndërmjetësuesi ndërkombëtar i konflikteve, 84-vjeçari Ahtisaari, u infektua për herë të parë me koronavirus në mars të vitit 2020.

“Presidenti Ahtisaari është mirë ndonëse po trajtohet në spital”, njoftoi fondacioni i tij, më 30 dhjetor. Ahtisaari ishte i dërguari special i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Kosovën, i ngarkuar për organizimin e negociatave të procesit të statusit të Kosovës, mbi planin e të cilit Kosova më 17 shkurt 2008 shpalli Pavarësinë.

President i Finlandës nga viti 1994 deri më 2000, Ahtisaari u shpërblye edhe me Çmimin Nobel për Paqe pikërisht në vitin 2008 për kontributin e tij dhënë përfundimit të konflikteve edhe në Indonezi, Namibi apo Irlandën Veriore.

Nga jeta publike dhe politike u tërhoq në shtator pasi u diagnostikua me sëmundjen e Alchajmerit./REL