Pasi Kuvendi Kombëtar i thirrur nga Sali Berisha shkarkoi Lulzim Bashën, ky i fundit ka thënë hapur se nuk e njeh asnjë vendim të marrë ditën e djeshme dhe ndërkohë ka përgatitur planin për të vepruar kundër Berishës.
Edhe ambasadorja Yuri Kim në mesazhin e saj të shpërndarë në rrjetin social Twitter nënkupton se SHBA ka marrëdhënie të ndërsjelltë me ata që mbështet.
Ajo ndan me ndjekësit në rrjetet sociale një mesazh të ambasadorit të parë amerikan në Shqipëri në vitet 1991-1994, William Edwin Ryerson.
Në mesazhin e publikuar nga ambasadorja Kim, diplomati Ryerson kujton një moment tejet prekës, kur një polici shqiptar i rridhnin lotët, teksa dëgjonte fjalët e Sekretarit Baker se “Ne jemi me ju dhe ju jeni me ne”.
Ambasadorja Yuri Kim shkruan:
Teksa arrijmë në fund të vitit 2021, i cili shënon 30 vjet të rinovimit të marrëdhënieve mes SHBA dhe Shqipërisë, doja të ndaja këtë mesazh nga Amb. Ryerson: “Një nga momentet më të rëndësishme erdhi gjatë vizitës së Baker. Ndërsa Sekretari fliste… Unë po qëndroja pranë automjeteve të autokolonës, pranë një polici shtatlartë e të ashpër. Ndërsa Baker tha: “Ne jemi me ju, dhe ju jeni me ne”, unë pashë një lot që rrotullohej në faqen e atij polici.” Ai “moment tregues” i kujtuar nga Amb. Ryerson është po aq i fuqishëm, i rëndësishëm dhe i vërtetë sot sa ishte 30 vjet më parë. Të mos harrojmë kurrë. SHBA dhe Shqipëria të mbajnë gjithmonë afër njëri-tjetrin.