Deputeti Luan Baçi deklaron se më 5 janar anëtarësia e Partisë Demokratike do të largojë Lulzim Bashën nga zyra në godinën e partisë.
Baçi foli në Zona Zero në Top News, ku tha se letra për të liruar zyrën dhe data 5 janar nuk është ultimatum i Berishës ndaj Lulzim Bashës, por ultimatum i anëtarësisë ndaj tij.
“Deputeti Basha duhet të kuptojë gjendjen ku është Partia Demokratike në këto momente. Mendoj që e ka kuptuar këtë gjendje, por më vjen habi me disa kolegë të PD që duket sikur e mbështesin, por në fakt po e dëmtojnë për të mbajtur ndonjë karrige provizore”, u shpreh ai.
Baçi i cilësoi nul, antistatutore dhe qesharake vendimet e Këshillit Kombëtar të PD-së, ku u votuan edhe emrat që plotësuan kryesinë e partisë pas përjashtimit të mbështetësve të Sali Berishës.
“Më vjen mirë që Salianji ka kundërshtuar për mënyrën se si u procedua dhe si u vendosën anëtarët e kryesisë duke anashkaluar votimin. Me statut duhej të isha unë në Kryesi, mua më përjashtuan pa më futur në kryesi, megjithatë kjo kryesi është e paligjshme dhe është e shkarkuar në Kuvendin e 11 dhjetorit. Si ka mundësi vazhdojnë me këtë histori bajate dhe qesharake. Kuvendi i 11 dhjetorit ka marrë vendime”, u shpreh ai.