Armando Broja është lojtari më premtues në Premier League. Sulmuesi 20-vjeçar shqiptar është duke shkëlqyer në radhët e Southampton, aty ku është huazuar nga skuadra e Chelsea-t.
Broja realizoi mbrëmjen e së mërkurës golin e katërt këtë sezon në barazimin 2-2 në ndeshjen Crystal Palace-Southampton. Broja ishte protagonist absolut për ekipin e tij në këtë ndeshje, ku çdo sulm apo mundësi për Southampton kaloi nga këmbët e shqiptarit.
Me golin e realizuar në këtë ndeshje, Broja arriti në kuotën e katër realizimeve në 6 ndeshje si titullar në Premier League, duke bërë që vetëm Mason Greenwood të ketë këtë rezultat.
Prej kohësh, tifozët e Chelsea-t kanë kërkuar që skuadra e tyre ta rimarrë lojtarin që në merkaton e janarit, duke parë paraqitjen e dobët të sulmuesve aktualë të kampionëve të Europës, por kjo gjë është e pamundur. Deri tani, Lukaku, i blerë me aq bujë nga Interi, ka realizuar vetëm 3 gola, Kai Havertz 2 gola, ndërsa Werner vetëm një gol.
Mjaft të rëndësishme për Brojën janë edhe sfidat e fundvitit ku Southampton do të zbresë në fushën e lojës edhe 3 herë të tjera, ndërsa dy sulmuesit e tjerë të skuadrës janë të dëmtuar.