Bizneset në aksin Tiranë-Durrës kanë kundërshtuar sot aksionin e Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH) për mbylljen e hyrje-daljeve të rrezikshme. Në këtë aks janë 300 subjekte me hyrje-dalje të rrezikshme, por pronarët shprehen se kanë aplikuar për leje dhe se i është komunikuar se duhet të presin, teksa theksojnë se ndërhyrja sot e ARRSH ishte e pa lajmëruar.
Ata shprehen se janë 20 biznese që kishin bërë kërkesë në ARRSH ku i ishte komunikuar se do ta bënin rrugën sipas një projekti të përcaktuar dhe jo se do t’i mbyllej rruga.
“Kemi aplikuar për leje, por këtu merret parasysh asgjë, këtu vijnë të shkatërrojnë të vrasin. Na thanë do bëjmë hyrje-dalje, tani pa lajmëruar vijnë, Ky problem është i hershëm. 20 biznese kemi bërë kërkesë të përbashkët dhe me lekët tona do bënim rrugën. Tani këta na presin në besë. Erdhën nga ARRSH dhe na thanë që do bëhet hyrje-dalja po me lekët tuaja do bëhet rruga. Na thanë prisni përgjigje, sot vijnë pa lajmëruar”, thotë një prej pronarëve.
“I kemi çuar dokumentacionet, jemi 20 biznese, këta nuk duan, këta thonë kemi urdhër do zbatojmë urdhrin. Kemi bërë kërkesën, na thanë në rregull do gjejmë një inxhinier që të bëjë studimin dhe do ju lëmë hyrje-dalje dhe rruga do bëhet sipas projektit. Ne nuk kemi dalje nga pas biznesit, këta as nuk duan të bisedojnë”, shprehet një tjetër.
ARRSH po hap kanale anësore të mbyllura nga bizneset në anë të rrugës dhe po vendos mbrojtëse anësore metalike për mbylljen e hyrje-daljeve, duke i lënë bizneset pa rrugë alternative për t’u futur në ambientet e tyre.
Ky aksion ka nisur që me 27 nëntor, teksa në të gjithë vendin numërohen 1300 subjekte që kanë akses në akset nacionale në vend dhe vetëm 60 prej tyre janë të licencuara dhe kanë marrë leje për përdorimin e rrugës.