Në Kuvendin e 11 dhjetorit, Sali Berisha vlerësoi “Kryetar Nderi”, Azem Hajdarin, por e bija e tij, Rudina nuk e ka cilësuar si të vlefshme, madje thekson se figura e babait të saj nuk duhet të ishte futur aspak në këtë betejë të brendshme të PD-së.
“Babi im nuk ka pasur nevojë për tituj, ishte njeri i popullit, mënyra se si trajtohet tani, nuk i vlen figurës së Azem Hajdarit, është e qartë për demokratët, që ishte një figurë shumë e fortë, nuk i shërbejnë figurës së lartë të tij, një mënyrë që nuk duhet të ishte futur në mes.
Berisha mund të ketë arsye të veta, por nuk e mendoj të vlefshme. Si vajza e tij, në çdo përvjetor apo 8 dhjetor ka pasur ngjarje të tilla ku janë festuar pranë bustit, por nga ana tjetër mendoj që ky është një moment i PD dhe ka plot figura brenda partisë që mund t’i shërbejnë”, tha Hajdari për Report TV.
Nderimi me këtë titull, sipas Hajdarit, është një shenjë pendese për sjelljen që ka bërë Berisha përkundrejt babait të saj.
“Nuk e ka hedhur kurrë poshtë, ka qenë shumë korrekt në marrëdhënie me të dhe mendoj se pastaj Berisha e ka vlerësuar më vonë dhe mund të jetë penduar për shumë gjëra, por faktet flasin. Më shumë mbaj mend stresin që sillte në familje, mënyrën se si ai ndiheshe i tensionuar, i rrezikuar në shumë raste, por kishte edhe mbështetjen e gjerë të shqiptarëve dhe demokratëve”, tha Hajdari.
Në “luftën” mes Bashës dhe Berishës, nuk sheh asnjërin fitues. Njërin e quan të paaftë, tjetrin të shkuarën e parties, që nuk ka më se çfarë t’i japë, e jo më që ta rikthejë në pushtet.
“Basha e ka humbur legjitimitetin, ose besueshmërinë brenda partisë se nuk ka investuar te anëtarësia. I kuptoj demokratët, por PD duhet të jetë përtej këtyre 2 personave apo interesave të tyre, është shumë e rëndësishme që të mendojmë që ajo që është aseti ynë kryesor është PD dhe nëse ne mendojmë që PD do vijë nesër në pushtet nuk mundet të mendojë që PD do e sjellë në pushtet Berisha. Është e pamundur, është i kaluarës, është koha të shohim të ardhmen”, tha Hajdari.
Ajo ka zbuluar në Report TV se një ditë më parë ka takuar ambasadoren e SHBA-së, Yuri Kim, e ndërsa nuk e ka përjashtuar edhe mundësinë e rikthimit në politikë, por në “momentin e duhur”. Se kur do të jetë ky moment, nuk e ka përcaktuar.