“Balkani i Hapur ka të bëjë me punë, me të bërit e gjërave dhe marrëveshjet që po nënshkruajmë sot flasin për këtë. Kjo hapësirë ka të bëjë me realitetin e jetës së qytetarëve tanë”.
Kështu deklaroi Kryeministri Rama në tryezën për Ballkanin e Hapur që po zhvillohet në Tiranë, nga ku ftoi tre vendet e tjera të Ballkanit që t’i bashkohen nismës duke renditur edhe arsyet e përfitimit të qytetarëve të vendeve tona nga ky bashkëpunim. “Kështu që duke pasur përshembull një sistem të përbashkët elektronik për të gjithë qytetarët e Ballkanit të Hapur i cili do të ofrojë kode dhe nënshkrime elektronike, për të zhvilluar çdo lloj ndërveprimi në vendin ku njerëzit tanë duan të rrinë e punojnë, ku duan të investojnë, ky është treg i përbashkët e përtej”, tha Rama.
Sipas Kryeministrit, unifikimi i procedurave doganore për t’u qasur lirisht drejt tregjeve të vendeve të nismës, flet vetë si një lehtësi e jashtëzakonshme për fermerët e vendeve tona. “Nuk do përsëris gjithë marrëveshjet por duke u dhënë njerëzve tanë që punojnë në sektorin bujqësor, apo që merren me import eksporti këto lehtësi, është e jashtëzakonshme. Jemi të vetëdijshëm që nuk mund të eksportojmë mish në BE dhe industria e mishit po vuan shumë nga izolimi kështu që hapja e tregut të ri është dicka e jashtëzakonshme për ta. Ashtu sic është e jashtëzakonshme për të gjithë fermerët e produkteve bujqësore. Për të mos u marrë më me autorizime të ndryshme, duke lehtësuar doganat. Një nga gjërat që na thanë njerëzit, nga të gjitha sektorët, ishte si t’i mbijetojmë stresit, të mënyrave të punës me doganat. Unifikimi i procedurave të doganave duke lejuar një akses 24 orë në 7 ditë të javës, cfarë është, është një treg i përbashkët rajonal”, tha Rama.
Rama shtoi se “Ballkani i Hapur është njësia e zbatimit të të dyjave, e Procesit të Berlinit dhe Tregut të Përbashkët Rajonal”. “Të gjitha ata që duan Procesi i Berlinit të ecë përpara duhet të vinë me vrap dhe të ulen rreth kësaj tryeze. Ata që duan që Procesi i Berlinit të ecë përpara, duhet të bëhen pjesë e Ballkanit të Hapur. Ata që duan që tregu i përbashkët të funksionojë duhet të bëhen pjesë e Ballkanit të Hapur”, tha Rama.