Ish-kryeministri Sali Berisha hyri me dhunë sot në selinë e PD-së dhe pas konferencës për media u largua. Por cfarë do të ndodhë nëse e njëjta gjë do të përsëritet në ditët në vazhdim? Kreu i PD, Lulzim Basha theksoi sot se PD-ja i ka gati skenarët.

“Sali Berisha është e shkuara. PD i ka gati të gjithë skenarët për t’u përballuar me cdo situatë. U bëj thirrje autoriteteve të veprojnë mbi pjesëtarët e krimit të organizuar. Kanë material për vepra penale në Shqipëri, e vërtetë dhe e sigurt është që ka për në Britaninë e Madhe, Fatjon Dautaj është një figurë e skeduar. Dyert e kësaj partie do të jenë të hapura për të gjithë demokratët për betejën për njerëzit”.

Lulzim Basha atë që ndodhi sot e cilësoi “spektakël të Trekëndëshit të Bermudës”. “I dëshpëruar është Sali Berisha. Edhe më i dëshpëruar është Edi Rama jo vetëm që është i është djegur karta që ka luftuar dy palë zgjedhje por e di që trekëndëshi do të merret me radhë dhe kur bie baza do të bien edhe dy këndet e tjera” tha ai.

Kryedemokrati, jo vetëm Berishën dhe Ramën, por lëshoi akuza edhe për Ilir Metën, që e cilëson si një nga tre këndet e “Trekëndëshit të Bermudës”.

“Të çliruar nga hijet e së shkuarës. Le ta dinë Edi Rama, Sali Berisha, oligarkët, bosët e krimit apo ushtarët e tyre që vijnë vërdallë, janë në mbikëqyrjen tonë dhe jo vetëm, nuk na intimidojnë dhe nuk i pret fati që i premton Sali Berisha, Edi Rama apo dikush tjetër nga Trekëndëshi i Bermudës që i ka pasur dikur rekrutë dhe që mund t’i dërgojë si pjesë e pjesë e skenarëve deztabilizues për opozitën dhe Shqipërinë” tha ai.